Arrestohet 35-vjeçari në Kumanovë! Dyshohet për djegien e 3 veturave dhe 1 lokali

TË FUNDIT

Ka rënë në pranga 35-vjeçari me inicialet F.A. nga Kumanova, i cili sipas policisë dyshohet për djegien e një lokali afarist dhe të tri veturave në Kumanovë. Nga Sektori për punë të brendshme njoftojnë se në orët e para të ditës së sotme, respektivisht rreth orës 01:10, në rajonin e Bit Pazarit është arrestuar një person i identifikuar nga kamerat e sigurisë si i dyshuari për zjarrvënie të qëllimshme para tri ditëve.

“Sot në orën 1.10 minuta në Shkup, në rajonin e Bit Pazarit, nga marrja paraprake e informacioneve operative dhe në koordinim me SPB-Kumanovë nga zyra e policisë kriminale e Byrosë për siguri publike dhe SPB-Shkup, zyrtarët e njësitit të Policisë Intervente, e kanë privuar nga liria F.A. nga Kumanova. Ai dyshohet se më datë 02.12.2024 në Kumanovë ka djegur tri vetura të udhëtarëve dhe një objekt afarist. F.A. është privuar nga liria dhe po mbahet në Stacionin Policor të Kumanovës, pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të bëhet kallëzim përkatës”, theksoi Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së .

Lokali afarist ishte i Këshilltarit Komunal të BDI-së Fitor Jakupi. Një nga veturat e djegura ishte e Prokurorit të lartë Xhelal Bajrami, i cili ishte ish-zëvendës ministër i brendshëm i BDI-së. Vetura e dytë e djegur i takonte Erduan Asanit, në lidhje familjare ish-deputetin e BDI-së Arbër Ademi, kurse vetura e tretë e djegur brenda një intervali të shkurtër kohor ishte e Mentor Shahinit nga Lagja Dradania. Dje ministri i brendshëm Toshkovski tha se bëhet fjalë për një grup mirë të organizuar dhe se autoritetet po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit deri në zbulimin e dorasëve dhe porositësve të kësaj vepre penale.