Arrestohen Rashkovski dhe Pronari i “Invoka”! Për 3 vjet kompania ka marrë mbi 324.000 euro nga Qeveria

TË FUNDIT

Për tre vjet kompania “Invoka Grup” nga shteti ka marrë mbi 324 mijë euro përmes furnizimeve publike. Prej 4 kontratave, 3 janë lidhur me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe me nënshkrimin e Rashkovskit. Mes tyre është edhe softueri, për të cilin sot ishin arrestuar ish-sekretari gjeneral i Qeverisë dhe pronari i “Invoka Grup”.


“Në periudhën janar 2019-korrik 2019, i dyshuari i parë si person zyrtar, i ndihmuar nga të akuzuarit e tjerë, me vetëdije kanë kryer tre veprime të bëra në periudhën e njëjtë kohore, që paraqet realizim të disafishtë të veprës së njëjtë”, thonë nga Prokuroria Publike.

Rashkovski e ka dakorduar furnizimin e softuerit në fjalë, duke e dorëzuar atë si patentë të tij, për të cilën ka dhënë udhëzime për përcaktim të specifikimeve teknike për furnizimin publik.


“Me qëllim të favorizimit, i dyshuari i parë personalisht i ka përcaktuar specifikimet teknike për patentën. Më 02.01.2020, i dyshuari i parë ka marrë Vendim për zgjedhje të ofruesit më të volitshëm për operatorin ekonomik ku pronari dhe drejtuesi është i dyshuari i dytë, pas çka është lidhur edhe një Marrëveshje për furnizim të shërbimeve”, theksojnë nga Prokuroria Publike.

Të njëjtin vit në korrik ishte dërguar faturë në vlerë prej 80 mijë eurove, edhe pse softueri nuk ishte zbatuar. Kryeministri i cili ditëve të fundit e mbronte Rashkovskin, tani thotë se askush nuk është i paprekshëm  dhe se hetimi duhet të tregojë nëse ka pasur keqpërdorime. Ai megjithatë mendon se blerja është e ligjshme.


“Procedura është zbatuar tërësisht sipas ligjit, sipas asaj që unë e pashë, nëse tregohet e kundërta, atëherë do të dëshmohet se organet hetuese kishin këndvështrim të ndryshëm, por në fund gjykata e ka fjalën e fundit”, u shpreh Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Opozita thotë se para disa viteve kanë reaguar për këtë krim.


“Që para 2-3 vjetëve VMRO-DPMNE-ja alarmoi se te Rashkovski ka indici për krim të kryer. Por për shkak se ishte shoku më i mirë i Zaevit, për të ligji nuk vlente, nëse do të vlejë tani, do të shohim prej kësaj procedure”, deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Rashkovski është ish- sekretar i përgjithshëm ndërsa tashmë edhe ish- sekretar për monitoring dhe mbështetje. Disa herë gjatë mandatit të tij e akuzonte opozitën. Deri më tani disa herë i kërkoi falje opinionit publik ndërsa kundër tij po udhëhiqen edhe disa hetime në Prokurorinë dhe janë hapur lëndë në Komisionin Antikorrupsion.