Armenia dhe Azerbajxhani me akuza të ndërsjellta për mosrespektim të armëpushimit të ri

TË FUNDIT

Armenia dhe Azerbajxhani po akuzohen mes veti për shkelje të armëpushimit të tretë të arritur në Nagorno-Karabah, që sot hyri në fuqi.

Përfaqësues të Erevanit dhe të Bakut në Uashington arritën marrëveshje që armëpushimi të fillojë sot në orën 8:00 sipas kohës lokale (ora gjashtë sipas kohës së mesme evropiane).

Ministria e Punëve të  Brendshme e Azerbajxhanit sot i akuzoi forcat armene se e granatuan qytetin Terter, fshatrat fqinje si dhe pozitat e armatës së Azerbajxhanit, duke pohuar me atë rast se Baku e respekton ndërprerjen humanitare të zjarrit.

Kjo edhe njëherë tregon se Armenia vetëm me fjalë e mbështetë parimin e armëpushimit humanitar. Ndërkaq, në të vërtetë, duke u fshehur pas armëpushimit, po tenton t’i rigrupojë forcat dhe të marrë pozicione të reja, deklaroi Kikmet Gaxhijev, këshilltar i presidentit të Azerbajxhanit, Ilhan Alijev.

Ministria e Mbrojtjes e Nagorno Karabahut e dënoi “zjarrin armiqësor artilerik ndaj pozitave të tyre, duke cekur me atë rast se forcat e tyre e respektojnë marrëveshjen për ndërprerje të zjarrit.

Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për “shkeljen flagrante” të armëpushimit.

Kryeministri i Armenisë, Nikoll Pashinjan deklaroi se armëpushimi në Nagorno-Karabah kryesisht po respektohet edhe përkundër disa provokimeve nga ana e Azerbajxhanit.

Pashinjan shkroi në Tuiter se Armenia do të vazhdojë ta respektojë armëpushimin.

Më parë, Ministria armene e Mbrojtjes kumtoi se armata e Azerbajxhanit e ka shkelur armëpushimin vetëm 45 minuta pasi që hyri në fuqi.

Përderisa presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev deklaroi Baku dëshiron me mjete politike dhe ushtarake ta zgjidhë konfliktin në Nagorno-Karabah.

Ai në fjalimin drejtuar kombit theksoi se forcat e armenëve etnikë do të duhej ta braktisin territorin me qëllim që të n dërpriten përleshjet.

Trazirat në Nagorno-Karabah filluan më 27 shtator mes forcave të Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ky është armëpushimi i tretë në Nagorno-Karabah prej 27 shtatorit kur filluan trazirat. Dy të parët u arritën më 10 dhe 17 tetor me ndërmejtësim të Rusisë. Armëpushimi i sotëm pasoi pas takimit të së premtes mes sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo dhe ministrave të jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit. ab/