Arlind Ajeti rikthehet në Kombëtaren Shqiptare

TË FUNDIT

Pas përvojave jo shumë të suksesshme në vitet e fundit, ishte vlerësuar se karrierës së Arlind Ajetit te përfaqësuesja e Shqipërisë i ka ardhur fundi. Por një edicion i mirë në Serie B të Italisë i ka mjaftuar mbrojtësit 27-vjeçar që të sigurojë sërish vend te kuqezinjtë.

Ajeti ka luajtur në 19 prej 30 ndeshjeve të këtij edicioni në kategorinë e dytë të Italisë për skuadrën Reggiana. Dhe Edy Reja e ka ftuar për tri ndeshjet e këtij muaji.

Shqipëria është grumbulluar në Barcelonë para ndeshjes me Andorrën që e luan në udhëtim, të enjten. Më 28 mars Shqipëria luan në Tiranë me Anglinë, ndërsa më 31 mars takohet prapë në udhëtim me San Marinon. Janë ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2022.

Ajeti së fundi për Shqipërinë ka luajtur në qershor të vitit 2018. Ishte grumbulluar edhe në tri ndeshje të vitit 2019, por nuk ishte aktivizuar.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time kur shikoj gjithë stafin dhe të gjithë grupin. Më kanë munguar shumë. Vij në një grup që ka shumë lojtarë që luajnë dhe janë aktivizuar shumë me klubet e tyre. Kjo do të na japë një besim të madh për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Ajeti të hënën në një konferencë për shtyp.

Ekipi i Shqipërisë është mbledhur të hënën dhe ka filluar stërvitjet.

“Të gjithë më kanë pritur mirë dhe kjo më bën të ndihem akoma më mirë. Kur jemi në kombëtare të gjithë luajmë me zemër dhe japim shpirtin. Ndeshjet që vijnë janë të vështira dhe ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Do të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin. Kemi luajtur në Andorrë dhe e dimë që është fushë e vështirë. Duhet të japim 100 për qind. Ne jemi profesionistë, njohim njëri-tjetrin, kemi ndeshje në këmbë dhe njohja me njëri-tjetrin na bën më të lehtë. Pavarësisht kohës së paktë në dispozicion për të përgatitur ndeshjet, jam optimist se do t’ia dalim”, ka theksuar Ajeti.

Në konferencë për shtyp ka folur edhe Sokol Çikalleshi, që po kalon formë të lartë në Superligën e Turqisë.

“Objektivi është që të nisim me këmbë të mbarë. Pa diskutim që gjëja kryesore është që të arrijmë të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Nëse do të arrija të shënoja dhe t’ia sillja ekipit fitoren, kjo do të ishte një kënaqësi e dyfishtë. Është një ndeshje për t’u vlerësuar, pasi me Andorrën kemi pasur telashe në të kaluarën. Kështu që do të jemi shumë të fokusuar për të arritur trepikëshin. Ne do të synojmë maksimumin, nuk diskutohet. Më pas e kemi ndeshjen e vështirë ndaj Anglisë. Nëse japim çdo gjë në fushë dhe kualiteti i Anglisë vendos ndeshjen, atëherë na ngelet vetëm të duartrokasim. Por me shpirt garues dhe duke dhënë çdo gjë në fushë, mund të arrijmë diçka”, ka theksuar Çikalleshi.

Pas një krize në vitet pas “Euro 2016”, Shqipëria është konsoliduar me Rejan dhe ka pasur kampanjë të suksesshme në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Grupi vlerësohet shumë cilësor dhe kualifikimet për Botëror shihen si mundësi tjetër për të shpalosur kualitetet.

TË NGJAJSHME