Arben Taravari mori besimin e delegatëve të Aleancës për Shqiptarët që në katër vitet e ardhshme ta drejtojë partinë.
E para se të nisë fjalimin si drejtues i ri i ASH-së, e mori një dhuratë.
“Urime kryetar. Nga Aleanca për Shqiptarët e kemi një dhuratë për ty. Bëhet fjalë për veprat e Arbën Xhaferit “Vazhdojmë përpara””.
Para të pranishmëve u zotua se do të jetë zëri, arsyeja dhe këmbëngulja e secilit.
“Qëllimi ynë do të jetë modernizimi i vazhdueshëm i partisë tonë dhe sjellja e ndryshimit të gjatëpritur te faktori politik shqiptar në Maqedoni. Sytë e kësaj partie duhet dhe do të shohin gjithnjë nga Perëndimi si aleat absolut të demokracisë dhe lirive të njeriut që jemi”, tha Arben Taravari, kryetar i ASh-së.
Më pas para gazetarëve Taravari tregoi edhe për planet për organet e partisë.
“Gati se 50% e kryesisë do të jenë njerëz të rinj. Tash do të kemi edhe kabinetin e kryetarit, gjithashtu një organ që do të jetë këshilldhënës i kryetarit të partisë. Në kryesi planifikoj tash për tash të shkoj me 5 nënkryetarë, një sekretar gjeneral dhe një sekretar organizativ dhe për numrin e anëtarëve të kryesisë qendrore ende nuk e kemi debatuar“, pohoi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.
Taravari tha se është i lumtur që është pasardhësi i Ziadin Selës, për të cilin tha se beson se do të jetë kryetari i ardhshëm i Kuvendit të ASH-së dhe jo kryetar nderi, për shkak se siç u shpreh, ky status i duket diçka e harxhuar dhe se konsideron se Sela duhet të vazhdojë të jetë aktiv në parti. E gjatë fjalimit të tij në Kongres, ish-kryetari Sela theksoi se ASh- ja asnjëherë nuk ka qenë parti e një individi.
“Partitë politike nuk mund të jenë pronë e një individi, e unë sot jam këtu me krenarinë më të madhe për të thënë se unë i qëndrova fjalës ashtu siç i kam qëndruar shumë fjalëve tjera deri tani. ASh nuk ka qenë kurrë e Ziadin Selës dhe nuk do të jetë e askujt tjetër, përveç se e shqiptarëve”, deklaroi Ziadin Sela, ish-kryetar i ASh-së.
Në këtë Kongres të tretë të jashtëzakonshëm të ASH-së të pranishëm ishin përfaqësues nga kori diplomatik edhe përfaqësues të partive politike si BDI, Lëvizja Besa, Alternativa, VMRO- DPMNE, LSDM Partia e Turqve si edhe përfaqësues nga Kosova dhe Lugina e Preshevës.
Edhe pse Ziadin Sela si kryetar i ASh-së u rizgjodh më 27 mars 2022, ai më 21 gusht, për shkak të rezultateve të dobëta të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës, dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni e kryetarit të partisë.
