Bisedimet për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 po shënon progres pavarësisht vështirësive, theksoi shefi i ekipit negociator iranian Abas Arakçi.
Arakçi tha dje se po bëhej përparim në bisedime, por paralajmëroi se Teherani do t’i pezullojë ato nëse përballet me “kërkesa të paarsyeshme” ose humbje kohe.
“Irani dhe fuqitë botërore kanë bërë përparim në bisedimet e Vjenës, megjithëse mbetet shumë për të bërë, ndërsa takimet do të vazhdojnë javën e ardhshme pas konsultimeve midis palëve dhe kryeqendrave të tyre”, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Arakçi, rrjedhën aktuale të bisedimeve e përshkroi si përparim, “edhe krahas vështirësive dhe sfidave ekzistuese”, raportuan mediat shtetërore iraniane.
“Delegacioni iranian do t’i pezullojë bisedimet sa herë që procesi i negociatave çon në kërkesa të paarsyeshme, humbje kohe dhe pazarllëqe irracionale”, tha Arakçi.
“Është shumë herët të gjykohet për epilogun dhe të thuhet nëse jenm optimist apo pesimist, por ne besojmë se jemi në rrugën e duhur”, shtoi Arakçi për televizionin shtetëror.
Agjencitë iraniane citojnë një burim anonim duke thënë se SHBA-ja ka në plan të lëshojë vetëm masa të përkohshme në vend të heqjes së përhershme të sanksioneve, të cilat Uashingtoni i rivendosi në Teheran pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani ra dakord të heqë disa aspekte të programit të tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të SHBA dhe të tjera, transmetojnë mediat britanike.
