Araghchi: “D-Dita Ekonomike” e Trumpit do t’i sjellë një tjetër humbje SHBA-së

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi deklaroi se fushata e re e presidentit amerikan Donald Trump kundër Teheranit, e quajtur “D-Dita Ekonomike”, do t’u sjellë SHBA-së “një tjetër humbje” dhe do të thellojë më tej armiqësinë e iranianëve ndaj Uashingtonit.

Deklarata e tij vjen pasi Trumpi njoftoi atë që e quajti “operacionin ekonomik më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo shtet”, duke e përshkruar fushatën si “luftë ekonomike dhe izolim të përmasave të paprecedenta”.

Trump theksoi se Uashingtoni do të përpiqet të ndërpresë plotësisht të gjitha kanalet financiare dhe tregtare që mbështesin Teheranin, ndërsa paralajmëroi se vendet që do t’u lejojnë institucioneve të tyre financiare, kompanive, aeroporteve apo institucioneve qeveritare t’i ofrojnë Iranit një “linjë shpëtimi” ekonomike, do të përballen me pasoja të rënda ekonomike. Duke e quajtur fushatën “D-Dita Ekonomike”, ai u bëri thirrje edhe aleatëve amerikanë t’i bashkohen Uashingtonit në izolimin e plotë të Iranit.

Duke reaguar ndaj deklaratës, ministri i Jashtëm iranian shkroi në rrjetin social X se “e ashtuquajtura ‘D-Dita Ekonomike’ është vetëm një përpjekje për të larguar vëmendjen nga kriza e vetë Amerikës: borxhi i paprecedentë dhe kostot në rritje të interesave”.

“Vazhdimi i politikave të dështuara do të sjellë vetëm një tjetër humbje dhe edhe më shumë armiqësi nga iranianët”, theksoi Araghchi, duke shtuar se “terrorizmi ekonomik” amerikan po kërcënon ekonominë globale dhe sovranitetin e vendeve në mbarë botën.