Aplikimi online për në shkollë të mesme, për shkak mbingarkesës shpesh herë bllokohet faqja

TË FUNDIT

Afati i parë i regjistrimit në shkollat e mesme po kalon me vështirësi. Semi-maturantët, të cilët duan të aplikojnë për të vazhduar në arsimin e mesëm, thonë se po ballafaqohen me bllokim të sistemit gjatë aplikimit në platformën on-line. Si pasoj ata bashkë me prindërit kanë ardhur të kërkojnë asistencë në shkollat ku duan të aplikojnë. Në kabinetin e Informatikës së SH.M.T. “Cvetan Dimov” në Shkup, profesorët po i ndihmojnë nxënësit për t’i mbushur aplikimet, të cilat nuk arritën t’i bëjnë nga shtëpia.

Besir Shabani, Arsimtar (2417/1.00-1.37)
Besir Shabani: “Sinqerisht kemi pasur pak probleme teknike gjatë mëngjesit të sotëm, si duket ka qenë faqja e mbingarkuar dhe ka pasur shumë aplikime nga gjithë nxënësit që aplikojnë dhe ka marr më tepër kohë, mirëpo në momentin që është në funksion të plotë faqja, nuk merr më shumë se 3-5 minuta.

  • TV21: Po shohim se shumë nxënës kanë ardhur këtu të marrin asistencë, kjo nënkupton që s’kanë arritur ta bëjnë nga shtëpia?

Besir Shabani: “Nuk besoj se nuk kanë arritur, por mbi të gjitha besoj se problematika ma e madhe ka qenë dyshimi se a do e bëjnë aplikimin me sukses ose jo, dhe këtu kanë ardhur më shumë për tu siguruar, që mos të bëjnë ndonjë gabim gjatë aplikimit dhe marrin një lloj asistence”.

Nga drejtoria e kësaj shkolle thonë se afati i parë mbaron nesër, por nxënësit kanë edhe afatin e dytë javës tjetër dhe një afat shtesë në fund të gushtit.

“Kemi formuar ekipe të punës të cilët i ndihmojnë nxënësit në procesin e aplikimit gjatë regjistrimit. Normalisht, ka vështirësi nga një pjesë e nxënësve kanë probleme me regjistrimin, nuk e dinë procedurën se si shkon procesi i aplikimit, ju ndihmojmë në aspektin teknik dhe ka fluks të regjistrimit të nxënësve. Afati i dytë është më 30 qershor, rezultatet publikohen me 2 korrik, nëse edhe në afatin e dytë nuk plotësohet kuota e nxënësve atëherë ekziston mundësia edhe për afat të tretë”, tha drejtori Gani Asllani.

Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk ka probleme të theksuara të platformës elektronik e-shërbime, por mbingarkesa e aplikimeve të shumta nganjëherë e bllokon sistemin përkohësisht.

“Deri të hënën në mesditë ka pasur rreth 10,600 aplikime. Presim që ndërmjet 16-17 mijë nxënës të regjistrohen në arsimin e mesëm në periudhën e parë të regjistrimit. Nuk ka problem me sistemin, këtë e konfirmon numri i aplikimeve. Ka nxënës që kanë harruar fjalëkalimin e profilit të tyre në ‘schools.mk’, kështu që po i drejtohen Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbështetje”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Tani e disa vite aplikimet për vitin e ri shkollor po bëhen përmes platformës elektronike nga nxënësit, por për shkak se afatet e regjistrimit janë të limituar në të njëjtën kohë për të gjithë vendin, fluksi i shtuar i aplikimeve ka shkaktuar telashe.