Apeli kthen tarifat e vjetra të rrymës në Kosovë

TË FUNDIT

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja.

Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Por, ZRRE, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati thënë se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, zyrtarë të ZRRE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ky vendim do të zbatohet.

Procesi në gjykatë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës ka nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës “i dëmton qytetarët”.

Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë.