Pasi që vendi është në gjendje krize Regjistrimi i popullsisë, sipas liderit të partisë E Majta, Dimitar Apasiev, nuk mund të bëhet. Vlerëson se shumë vende e kanë shtyrë regjistrimin pikërisht për shkak të pandemisë me Covid-19. Ligji është antikushtetues dhe kërkoi nga gjykatësit kushtetues që të mos lejohet regjistrimi për në shtator, ndërsa shtoi se asnjë regjistrim nuk ka paraparë regjistrim edhe të diasporës.
“Jo, nuk mund të realizohet regjistrim në gjendje krize të shpallur dhe aktive, dhe e dyta është se flamuri evropian është vendosur si alibi që të shkurtohet debati në Kuvend, të pamundësohet veprim parlamentar posaçërisht për opozitën”, tha Apasiev.
Njeriu i parë i Statistikave, Apostol Simovski shpreson që Kushtuesja nuk do ta pranojë iniciativën për shfuqizim të regjistrimit. Sipas tij nuk është problem zbatimi i regjistrimit gjatë pandemisë sepse për këtë ka protokolle anticovid. Lidhur me regjistrimin e diasporës, tha se regjistrimi i diasporës është pjesë e rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara.
“Në këto rekomandime ka një kapitull të tërë, kapitulli 8 i cili flet për këtë kategori dhe për regjistrimin e kësaj kategorie të popullsisë. Ajo që është kyçe në rekomandimet tek ne, është se definohet kategoria kryesore e popullsisë e ashtuquajtur popullsia e përgjithshme rezidente dhe patjetër të bëhet kujdes që kjo të respektohet nga të gjitha vendet e botës”, tha Simovski.
Sipas sekretarit shtetëror nga Ministria e Drejtësisë, Muhamed Toçi regjistrimi i shtyrë do të realizohet në muajin shtator, ndërsa sipas tij, Apasiev nuk ka të drejtë kur thotë se ligji nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Vlerësojmë se arsyet në iniciativën konkrete, se Ligji i kontestuar është në kundërshtim me Kushtetutën, janë juridikisht të pabaza dhe pikërisht për këtë në emër të Qeverisës së Maqedonisë së Veriut, propozojmë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut të mos ngre procedurë për kushtetutshmërinë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërisë”, tha Toçi.
Ligji për regjistrimin e popullsisë do ta kalojë me sukses testin e Kushtetutshmërisë para Gjykatës Kushtetuese, vlerëson profesori universitar Jeton Shasivari. Sipas tij të gjitha pikat e iniciativës që ka dorëzuar Apasiev, Kushtetuesja nuk është kompetente t’i vlerësoj.
“Të gjitha 4 pjesët kryesore të kësaj iniciative janë të pabaza. Pjesa e parë thirret në atë që me regjistrimin e popullsisë në kohë pandemie kryet vepër penale. Gjykata Kushtetuese nuk është Gjykatë Penale që vlerëson ekzistimin ose mos ekzistimin e veprave penale. Pjesa e tretë e iniciativës pretendon që ligji për regjistrim është në kundërshtim me aktet dhe konventat ndërkombëtare. Edhe kjo pjesë është e pabazë për shkak se gjykatat Kushtetuese nuk ka kompetencë që vlerësoj Konventat ndërkombëtare”, sqaroi Shasivari.
Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë që të realizohej në prill, ndërsa i njëjti me marrëveshje politike u anulua për muajin shtator. Ndërkohë regjistrimi i diasporës ka filluar nga muaji mars dhe do të vazhdojë deri në shtator.
