Për herë të parë në historinë e Maqedonisë kemi ndërprerje të marrëveshjes kolektive. Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë kolektive që e shkëputën Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, ankohen nga Sindikata e AOGjSh-së. Siç thonë, e gjithë kjo procedurë i ngjan një bashkimi kriminal nga Kodi Penal.
“Pas kërkesës së Ministrisë së Bujqësisë në seancë qeveritare, Qeveria e obligon Inspektoratin e punës, që të bëjë shqyrtim të marrëveshjes kolektive të Ministrisë së Bujqësisë. Inspektorati i punës duke mos mundur që të gjejë ndonjë gjë joligjore në dispozitat e marrëveshjes kolektive, po vepron jashtë kompetencave të tij dhe sjell përfundim se procedura për lidhjen e marrëveshjes kolektive është joligjore”, tha Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së AOGJSH-së.
Pas konkluzionit të Inspektoratit pason propozim deri te Qeveria që ta prishë këtë marrëveshje, ndërsa dorëheqjen e nënshkruan ministri Lupço Nikollovski. Kjo sipas Sindikatës së AOGJSH-së është nënçmim i marrëveshjeve kolektive, i të punësuarve dhe tregon se duhet të prishen edhe marrëveshjet e tjera kolektive, të zvogëlohen të drejtat e të punësuarve, shtoi Deanoski.
“Sipas dispozitave ligjore, pas prishjes së marrëveshjes kolektive, e njëjta mund të zbatohet edhe 6 muaj, pas kësaj dispozitat e saj nuk vlejnë më. Kjo do të thotë se pjesëtarët e policisë pyjore që marrin rrogë sipas kësaj marrëveshjeje kolektive, do të marrin rrogë vetëm edhe 6 muaj, pastaj Zoti u ndihmoftë”, shtoi Deanoski.
Sekretariati për legjislacion dje ka urdhëruar Ministrinë e bujqësisë se rrogat e policisë pyjore duhet të rregullohen vetëm me marrëveshje kolektive dhe në asnjë mënyrë tjetër. Brenda marrëveshjes kolektive janë paraparë edhe shpërblime jubilare, mbrojtje e të punësuarve gjatë riorganizimit të administratës publike, por nga kjo tani asgjë nuk mund të realizohet. AOGJSH paralajmëron edhe padi penale për ministrin Nikollovski për shkak të mosrealizimit të të drejtave të marrëveshjes kolektive. Nga Ministria e Bujqësisë nuk kemi përgjigje nëse do të zhvillojnë takim me Sindikatën e AOGJSH-së.
