Anulohet tenderi për sheshin “Skënderbeu” faza 3! Zekolli: Ka gabime në përllogaritje, do të hapet sërish

TË FUNDIT

Është anuluar procedura për tenderimin për projektin Sheshi “Skënderbeu” faza e tretë, njofton TV21. Tenderi, i cili ishte shpallur më 17 tetor, u anulua më 3 nëntor, një ditë para se të skadojë afati.

Për këtë është sqaruar zëvendësministra e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila ka bërë të ditur edhe shkaqet e anulimit.

“Bëhet fjalë ekskluzivisht për arsye teknike të vërejtura në dokumentacionin e tenderit. Gjatë verifikimit zyrtar u konstatuan mospërputhje dhe gabime të trashëguara në përllogaritje, të cilat kërkojnë korrigjim para vazhdimit të procedurës, me qëllim sigurimin e transparencës dhe respektimit të plotë të ligjit”, tha ajo.

Ka sqaruar poashtu se nuk anulohet i gjithë projekti, por vetëm procedura e prokurimit.

“Për këtë arsye, është marrë vendimi për anulim teknik të procedurës, që nënkupton përmirësimin e dokumentacionit dhe rihapjen e tenderit. Theksojmë se projekti nuk anulohet. Procedura e prokurimit do të hapet sërish në ditët në vijim, ndërsa përmirësimi teknik ka për qëllim vetëm garantimin profesional dhe të qëndrueshëm”, tha Zekolli Shaqiri më tej.

Tenderi kap vlerën prej 21.200.000 euro dhe parasheh ndërtimin e sheshit në Çair dhe të parkingut nëntokësor me mbi 400 vende./TV21