U besua se u gjet zgjidhje për tollovinë në parkingun e Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Sapo u publikua emri i kompanisë shqiptare Gjoka Construction, vërshuan reagimet e mes tjerash edhe Kryeministri Mickoski tha se do të shqyrtohet kredibiliteti i kompanisë. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dje tha se tenderi për ndërtimin e garazheve në Qendrën klinike i ka kaluar të gjitha procedurat dhe se pritet të nënshkruhet marrëveshje pasi të kalojë në qeveri, por sot ai e anuloi shpalljen. E pyetëm cila është arsyeja e anulimit, por nuk u përgjigj konkretisht. Vetëm tha për shkak bujës që u krijua dhe se nuk dëshiron të njolloset dikasteri që ai menaxhon.
“Ne si ministri tani për tani do ta stopojmë këtë proces dhe do të shohim si do të veprojmë më tutje.
-A është problem çështja që është diskutuar çmimi prej 50 denarëve, për këtë arsye është diskutabile oferta ?
Ka tema të ndryshme që keqpërdoren e përdoren, kështu që unë nuk do ta lejojë këtë, dua të punojë në mënyre transparente, çdo gjë të jetë e hapur. Çdo kompani ose parti politike që ka ofertë për zgjidhje më të mirë për çështjen e parkingjeve, ja i lëmë hapësirë njëmujore, këtu jemi t’i dëgjojmë të gjithë dhe të gjejmë opsionin më të mirë të mundshëm”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Taravari shpjegoi se po shqyrtojnë dy zgjidhje, që me parkingun të menaxhojë NP “Parkingu i Qytetit” ose shërbimet e përgjithshme.
“Eventualisht po mendojmë nëse Parkingu i qytetit mund të menaxhojë me qendrën e parkingut në Qendrën Klinike dhe të ndërtojnë garazhe në kate. Një opsion tjetër, që po mendojmë është edhe për shërbimet e përgjithshme, nëse shërbimet e përgjithshme mund të menaxhojnë parkingjet, por edhe të ndërtojnë garazhe në kate. Pra dua të njoftoj edhe ju edhe publikun se po mendojmë për dy opsione, pas këtyre reagimeve të shumta, për 50 denarë, për vendparkimet në Qendrën Klinike”, shtoi Arben Taravari ministër i Shëndetësisë.
Sipas opozitarës LSDM, dorëzimi i parkingut klinik kompanisë “Gjoka Construction”, ku 99% e fitimit do t’i shkonte kompanisë shqiptare, ndërsa vetëm 1% do t’i mbetej shtetit, tregon qartë se pas kësaj marrëveshjeje fshihej një marrëveshje e dyshimtë, për këtë arsye u anulua, tha Martin Kosotovski nga kjo parti.
“Dokumentet që fshihte Taravari dëshmojnë atë për të cilën ka dyshuar LSDM. Vetë Ministria e Shëndetësisë ka vënë kusht që koncensioneri të paguaj vetëm 1% të të ardhurave shtetit. Taravari dhe Mickoski me vetëdije kanë vendosur që t’ia japin parkingut një kompanie private, duke lënë shtetin pa të ardhura, për derisa pacientët do të paguanin dyfish më shumë parking”, deklaroi Martin Kostovski – sekretar Organizativ i LSDM-së.
Taravari i ftoi të gjitha partitë politike por edhe qytetarët që mund të kontrinuojnë me ide për zgjidhje të këtij problem. Për të drejtuar tollovinë në parkingun e Qendrës Klinike duhen rreth 1.100 vendparkime të reja.
