Anulimi i “Badenterit të vogël”, Osmani: U kalua vija e kuqe! mexhiti: Për 24 muaj VLEN-i po e arrin atë që BDI-ja nuk e bëri për 24 vjet

TË FUNDIT

Me heqjen e parimit të ashtuquajtur Badenteri i vogël në sjelljen e projekt-ligjit për përfaqësim të drejtë u kalua vija e kuqe nga VLEN-i, alarmoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, nga Kuvendi Zgjedhor i degës Çair. Sipas tij, me këtë është rrënuar mekanizmi qendror i arkitekturës së barazisë që buron nga Marrëveshja e Ohrit, e rrënimi i kësaj Marrëveshjeje, sipas tij, është kërcënim ekzistenical për shqiptarët e Maqedonisë!

“Dje e arritën kulmin! Dje e kaluam vijën e kuqe. Dje e rrënuan krye-mekanizmin e arkitekturës sonë të barazisë, zemrën e Marrëveshjes së Ohrit. E anuluan Badenterin ose shumicën e dyfishtë. I ashtuquajturi “Badenter i vogël” është shpikje e cila e heq gurin mbi të cilin qëndron Marrëveshja e Ohrit. Tanimë kjo nuk ka të bërë me mosmarrëveshje politike, me debat politik! Këtu rrënohen themelet me të cilën është ndërtuar paqja dhe bashkëjetesa”, tha Bujar Osmani – nënkryetar i BDi-së .

I pyetur për këtë, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti tha se është pak e rëndësishme nëse projektligji kalon me Bandenter të madh ose të vogël, por sipas tij ajo që duhet theksuar është se BDI 24 vjet nuk ka arritur të sjellë ligj për përfaqësimin adekuat, gjë që VLEN-i po e bën për 24 muaj në Qeveri.

“Ka 24 vjet, prej 2002 deri 2016 nuk ka pasur as ligj as balancues dhe nuk ka qenë problem. Tani për herë të parë pas 24 viteve VLEN-i po e ngrit këtë çështje që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, për herë të parë do të ketë ligj, për herë të parë Qeveria e Maqedonisë do të merret me përfaqësimin adekuat. Pikë. Tjetra është vetëm teatër sepse nuk mund ta paramendojnë që atë që s’kanë mundur ta bëjnë për 24 vite, VLEN-i po e bën për 24 muaj”, pohoi Izet Mexhiti, bashkëkryetar VLEN.

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat i propozuar nga Qeveria aktualisht është në procedurë parlamentare dhe Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ka vendosur që ai të miratohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”, ndërsa propozimi i opozitës shqiptare për “Badenter absolut” nuk mori mbështetjen e nevojshme.  Nevoja për këtë zgjidhje ligjore erdhi pas shfuqizimit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese në tetor 2024, duke lënë vendin pa një mekanizëm ligjor që garanton përfaqësimin e drejtë gjatë punësimit në administratën publike.