Ankohen për drejtësinë dhe largimin e të rinjve – studentët takohen me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

TË FUNDIT

Në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot takoi studentë të vendit, të cilët iu ankuan për drejtësinë dhe ikjen e të rinjve nga atdheu.

“Shqiptarëve të Maqedonisë ju mungon drejtësia tash e 30 vite. Shqiptarët e Maqedonisë dergjen burgjeve për dhjetëra raste të montuara. As Prishtina zyrtare e as Tirana nuk e ka ngritur zërin sado pak për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve të Maqedonisë?”, deklaroi ky student.

Kjo ishte një prej pyetjeve që sot iu parashtrua Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë takimit të tij me studentë të vendit. Presidenti e pranoi se Maqedonia mund të ketë problem me sistemin e drejtësisë, por theksoi se probleme të tilla ka kudo, duke përmendur si shembull Italinë. Tha se është detyra e të rinjve që të kërkojnë më shumë llogari dhe që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë.

“Unë e kuptoj që ka problem për drejtësinë këtu, por mos mendoni se ne në Shqipëri jemi një shembull i drejtësisë së kulluar. Kemi edhe ne problem serioze. Kemi qenë 3 vjet pa gjykatë kushtetuese. Nuk jam këtu për të marrë përsipër të bëj gjykime për standardet e drejtësisë në Maqedoni. Shpresojmë dhe besojmë se edhe BE dhe partnerët e tjerë që ndihmojnë dhe asistojnë t’i bëjnë këto vlerësime dhe ne natyrisht kur kemi shqetësime të caktuara ua kemi përcjellë dhe ua përcjellim autoriteteve”, u shpreh Meta.

Studentet u ankuan edhe për mungesën e shkëmbimit mes studentëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Pa asnjë diskutim se shkëmbimet në nivel arsimor dhe kulturor janë të domosdoshme të rriten dhe në këtë drejtim ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejtë për të përmbushur detyrimet tona edhe nga marrëveshja kulturore e përbashkët në mënyrë që të jemi më aktiv këtu në aktivitete kulturore”, tha më tej Meta.

Meta u pyet edhe për fenomenin e largimit të të rinjve nga vendlindja.

“Sugjerimi im është që jashtë mund të gjeni çdo gjë, jo vetëm për ju, por edhe për prindërit e juaj. Mund të gjeni punë më të mire paguar mund të gjeni shumë mundësi tjera, por nuk gjeni dot asgjëkund atdheun”, shtoi Meta

Meta u shpreh i zhgënjyer nga gatishmëria e të rinjve për të marrë përgjegjësi. Mes tjerash tha se shqiptarët duhet gjetur të gjitha format dhe mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë në rajon, duke i këmbyer asetet kulturore, shkencore dhe ekonomike. Këto Meta i tha në takimin me studentë që e mbajti në kuadër të vizitës së tij në Maqedoi, e me të cilët diskutoi mbi temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”.