Anesteziologu tiktoker mund të kthehet në punë? Oda e Mjekëve pati kumtuar se i është marrë licenca

TË FUNDIT

Me vendim gjykate, anesteziologu “tik-tok-er” Valton Dervishi që futej “live” nga gjinekologjia e spitalit të Tetovës, do të duhet të kthehet në vendin e punës. Vendimi ende nuk ka hyrë në fuqi, për shkak të afatit për ankimim. Gjykatësi i lëndës Ilir Rexhepi ka cilësuar se tik-toke-ri Valton Dervishi është larguar pa drejtë nga puna.

Po nga spitali klinik i Tetovës thonë se këtë vendim e kanë ankimuar dhe presin që gjykata e Apelit t’u jap atyre të drejtë.

Megjithatë mbetet e pa qartë nëse Dervishi ka apo jo licencë që të mund të rikthehet në vendin e punës, sepse Oda e Mjekëve më 18 prill 2023 doli me qëndrim se ata mund të ia marrin licencën.

Një javë pas kësaj, Oda e Mjekëve publikoi një vendim për marrjen e licencës për shtatë vjet.

TV21 dje dërgoi pyetje në Odën e Mjekëve nëse ia kanë marrë apo jo licencën mjekut Dervishi dhe nëse është ende në fuqi vendimi i 24 prillit 2023, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.  

Përndryshe, vendimi i Gjykatës së Tetovës i 17 majit 2023 ishte që anesteziologut të dënohet me një vit e tre muaj burg, por u anulua dhe në seancë rigjykuese më 2 korrik, ai është dënuar me tre muaj burg dhe dënim në të holla 250 euro. Kujtomë se mjeku Dervishi e pranoi fajin dhe u kërkoi falje publike kolegëve dhe pacientëve për veprën e kryer, duke thënë se nuk ka vepruar me paramendim për të publikuar videon apo për të përfituar materialisht nga kjo gjë.