Anel Fidovski zgjidhet prokuror i ri publik i PTHP- Shkup! Besir Aliu rizgjidhet shef i Prokurorisë Themelore në Tetovë

TË FUNDIT

Anëtarët e këshillit të prokurorëve publik bashkë me kryetarin e këshillit, Bashkim Besimi u mblodhën për të përzgjedhur kreun e ri të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit. Në procesin e votimit, Anel Fidoski mori mbështetjen më të madhe duke siguruar kështu postin udhëheqës. Shtatë nga 11 anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë votuan për zgjedhjen e Fidoskit, dy prej anëtarëve votuan kundër dhe dy abstenuan. I pyetur për përzgjedhjen dhe programin e prokurorit të ri Besimi tha se i dhanë një shans Fidoskit, sepse në intervistë kishte dhënë rezultate të mira.

“Faktikisht i përzgjedhuri në intervistë ka treguar rezultate të mira, për këtë arsye anëtarët vlerësuan se duhet t’i jepet shans dhe tashmë i dhamë shans”, tha Bashkim Besimi – Kryetari i Këshillit të Prokurorëve.

Në garë ishte edhe kreu i deritanishëm Gavril Bubevski, i cili u rendit i dyti me pesë vota, ndërsa Trajçevska dhe Andonova morën nga një votë secila, kurse kandidati Petreski nuk arriti të marrë asnjë votë. Duke komentuar votën e tij “abstenim” për kandidatin Bubevski, Besimi sqaroi se kjo është një praktikë e zakonshme brenda Këshillit, ndonëse nuk është e përcaktuar në mënyrë të qartë në kuadrin ligjor ekzistues. Ai shtoi se Këshilli po kërkon që kjo çështje të rregullohet me ligjin e ri, në mënyrë që të shmangen paqartësitë në të ardhmen.

“Abstenimi përdoret shpesh gjatë votimit. Ligji aktual nuk e rregullon qartë këtë formë të shprehjes së vullnetit dhe ne insistojmë që kjo të përfshihet në ligjin e ri dhe të dihet se po apo jo. I përmbajtur është praktikë, rregull i pashkruar”, u shpreh Bashkim Besimi – Kryetari i Këshillit të Prokurorëve.

Përveç zgjedhjeve në Shkup, Këshilli i Prokurorëve në seancën e sotme, me 10 vota “për”, e rizgjodhi Besir Aliun për shef të Prokurorisë Themelore në Tetovë.

Përndryshe Shefi i sapozgjedhur, Anel Fidoski, ka 11 vjet përvojë, është i njohur për përfshirjen e tij në disa raste penale me interes të lartë publik. Ndër më të njohurat janë hetimi për vrasjen e Nikolla Sazdovskit, anëtar i grupit të tifozëve “Komiti”, si dhe çështja e njohur si “Pjesë tankesh”, ndaj ish-kryeministrit Vllado Buçkovski, e cila përfundoi me parashkrim pas rikualifikimit të veprës penale.

Zgjedhja e prokurorit të ri vjen në një periudhë të trazuar për sistemin e drejtësisë, e shoqëruar me ndryshime të rëndësishme kadrovike. Këto zhvillime pasojnë dorëheqjen e prokurorit publik republikan Ljupço Kocevski dhe emërimin e Anita Topollova Isajllovska si ushtruese detyre në këtë funksion.