Amazoni nën hetim të rregullatorit gjerman të tregut

TË FUNDIT

Autoritetet antimonopole gjermane kanë ngritur hetim për marrëdhënien e kompanisë Amazon ndaj ndërmarrjeve të treta tregtare, të cilat shesin mallra dhe shërbime përmes sajtit të gjigantit amerikan në e-tregtinë.

“Për momentin hetojmë nëse dhe në cilat mënyra Amazoni ndikon në atë si tregtarët i formojnë çmimet e platformës së tij”, deklaroi sot kryetari i zyrës federale gjermane për luftë kundër kartelëve, Andreas Mundt.

Ai shton se në muajt e parë të pandemisë me Kovid-19, kur numri më i madh i dyqaneve u mbyllën, qytetarët kanë blerë përmes internetit dhe janë ankuar se Amazoni ka bllokuar disa tregtarë për shkak të gjoja çmimeve shumë të larta.

“Amazoni nuk guxon të jetë kontrollues i çmimeve”, ka thënë Mundt.

Gjermania është tregu i dytë më i madh i Amazonit pas SHBA-së.

Amazoni deri në vitin 2013 i ka penguar tregtarët t’i ofrojnë prodhimet e tyre përmes sajteve të tjera me çmim më të ulët sesa në e-dyqanet e kompanisë, por nën presion të rregullatorit gjerman të tregut hoqi dorë nga praktika e tillë. Vitin e kaluar Amazoni arriti marrëveshje me autoritetet gjermane për ndryshim të kushteve të cilat ua ofron tregtarëve të tretë, për shkak se Zyra për luftë kundër kartelëve hoqi dorë nga hetimi shtatë mujor. fb/