Alternativa do të propozojë amendament kushtetues që synon pamundësimin e vjetrimit të lëndëve gjyqësore dhe veprave penale të kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv dhe në pushtetin lokal. Këtë ndryshim partia e Afrim Gashit do ta propozojë që të bëhet në momentin kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese.
“Ne të gjithë e dimë se shumë politikanë kur marrin një pozitë kanë një status modest financiar, ndërsa kur e përfundojnë detyrën dalin si pasanikë që nuk ia dinë fundin pasurisë së tyre”- deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Duke arsyetuar propozimin, kreu i Alternativës, Gashi tha se këtë po e bëjnë në mënyrë që lufta kundër krimit dhe korrupsionit të ngrihet në nivel Kushtetues, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një amendament që do ta afrojë Maqedoninë edhe më shumë me BE-në.
“Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në raste që kanë të bëjnë më vjetërsimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona të emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme”- pohoi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Me këtë ndryshim kushtetues parashihet konfiskim i pronës së zyrtarëve edhe nëse është e paraqitur në emër të personave të tretë. Përveç ndryshimeve kushtetuese, Gashi sqaroi se duhet të ndërhyhet edhe te Kodi Penal.
“Amendamenti i propozuar do të jetë bazë e cila do të krijojë bazë për ndryshime dhe plotësime me nen të ri me numër 112 në Kodin penal që aty të parashikohet dispozitë me të cilat veprat eventuale penale nga personat e zgjedhur ose të emëruar të cilët janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, asnjëherë të mos mund të vjetërsohen.”- shtoi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Gashi përfundoi se javëve në vijim do të vazhdojë konsultimet me gjithë faktorët në vend mbi këtë propozim, ndërsa pret mbështetje nga të gjitha partitë politike. Alternativa po ashtu përkrah heqjen e termit 20% për shqiptarët në Kushtetutë.
