Sapo vendi morri dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE, pas një muaji Alternativa deri te kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dërguar letër me kërkesë që në seancë qeveritare të hyjë pika e tyre për hetim ndërkombëtarë në proceset e dyshuara për ndikimi politik. Këtë e deklaroi sot sekretari i kësaj Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, parti e cila para 5 ditësh doli nga Qeveria.
“Megjithatë ai është arsyetuar gjithnjë me çështje tekniko-procedurale e deri sa pas insistimit tonë se në qoftë se nuk shkon kjo letër ai nuk do të ketë shumicë. Më 6 dhjetor 2022, zv/ministri për çështje europiane Bojan Mariçiq ia dërgon kryetarit Afrim Gashi një version të korrigjuar të kësaj letre dhe ne po atë ditë duke e parë se aty është edhe teksti i kërkesës që ne e kemi pasur thelbësore jemi dakorduar që letra të shkoj dhe i kemi kthyer përgjigje”, tha Zeqirijia Ibrahimi, sekretar i Alternativës.
Ibrahimi thotë se sot e kësaj dite kjo letër nuk ka kaluar as në Qeveri e lëre më Komisionin Europian. Ndonëse dje kryeminstri Kovaçevski foli për këtë çështje, nuk përmendi këtë kërkesë për të cilën po flet tash Alternativa. Përmendi vetëm takimin që ka pasur me deputetin e pavarur Skender Rexhepi mbi këtë temë.
“Mbrëmë kishim takim ku biseduam për disa raste të caktuara për të cilat kishte diskutim publik për mënyrën se si janë udhëhequr. Unë në asnjë moment nuk jam përzier në punët e gjyqësorit dhe as nuk kam ndërmend ta bëj. As nuk do të konsultohen organe të jashtme juridike, por e vetmja gjë që mund të bëhet është të dërgohet letër deri te Delegacioni europian për disa raste të caktuara, nëse ato kanë ndonjë mënyrë të bëjnë një monitorim mbi atë se si këto lëndë janë udhëhequr. Nëse ka mundësi të tillë, atëherë atë mund ta bëjnë në korniza të direktivave të BE-së. Nëse jo, do të përgjigjen”, Dimitar Kovaçevski, kryeministër (16.02.2023).
Ibrahimi kërkon që kjo letër të dërgohet me urgjencë deri te Komisioni Europian, e nëse arritet diçka në këtë drejtim, thotë se nuk i duan meritat.
“Dua ti bëj thirrje atij, ta dërgoje letrën sot dhe përshkruaja kujt të duash ti. Ndonëse letrën e kam bërë vetë unë, nuk ka problem fare përshkruaja kujt të duash ti madje edhe atyre që vet nuk dinë t’i shkruajnë as dy fjalë, vetëm dërgojeni sot letrën në Komisionin Europian”, tha Zeqirijia Ibrahimi, sekretar i Alternativës.
Kur Alternativa u bë pjesë e Qeverisë në pikën e dytë të programit politik kishte theksuar se Qeveria do t’i dërgoj kërkesë zyrtare Komisionit Europian ku do të kërkohej ekip ekspertësh të pavarur që do të kryenin hetim ndërkombëtarë në proceset e dyshuara për ndikim politik siç janë “Monstra”, “Alfa”, “Lagjja e Trimave” dhe “Almiri”.
