Alternativa ende nuk i ka marrë të gjitha resorët/ Ibrahimi: Janë 15 drejtori! Zejdi: Nuk kalojnë këto fore

TË FUNDIT

Alternativa nuk ka asgjë kundër hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, por ajo që i pengon partisë së Afrim Gashit është mosrespektimi i plotë i marrëveshjes që kanë bërë për resorët me të cilat duhet të drejtojnë. Sekretari i kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi në Click Plus zbuloi se ende nuk i kanë marrë të gjitha postet e premtuara nëpër drejtori, ndërsa tash Qeveria po kërkon të rinegociohet marrëveshja, gjë që sipas tij është e pamoralshme dhe jokorrekte.

“Sa drejtori u kanë premtuar pas jeni marrë vesh?
“Nuk e di si numër të përgjithshëm por 15 drejtori ende nuk janë ndarë. Tani supozojeni se si ndihemi ne që duhej ta bëjmë këtë kapërcim me gjithë atë çmim të akuzave dhe në fund të vijë ndokush dhe të të thotë, a e dini çfarë, edhe ato resorë që i keni marrë, do tua heqim pak. E me këto të tjerat që i kishim të shkruara e që ende nuk janë zbatuar, çfarë bëjmë?! I bie që ju nuk e përmbushni pjesën e marrëveshjes së bërë!- tha Zeqirija Ibrahimi, sekretar AAA.

Pasi Ibrahimi foli mbi këtë çështje për mos marrjen e plotë të resorëve, me reagim doli ish bashkëpartiaku i tij, që tani është deputet i pavarur, Skender Rexhepi Zejd.

NJË MARRËVESHJE QEVERITARE E HARUAR…
Tash kur po e shohin që po u rrënohet dheu ndër këmbë (po u merret pushteti) – ata trumpetojnë se qeveria nuk u ndejti në besë sepse nuk ua realizoi programin.
Po ku ishin bre plot 15 muaj që fare asnjëherë nuk e kushtëzuan qeverinë për mos realizimin e atij programi – edhe pse e kishin fuqinë që bile edhe ta rrëzojnë qeverinë.
NUK KALOJNË KËTO FORE JO…

E mbrëmë në Click Plus analisti Albert Musliu lëvdoi korrektësinë dhe vendimmarrjen e vështirë të Alternativës kur u futën në Qeveri.

“E kuptoj shqetësimin tuaj se ju keni qenë target i një sulmi, jo vetëm prej opozitës shqiptare por të gjithëve, për momentin që e keni zgjedhur. Ka logjikë se me deputetët tuaj shumica fitoi një komoditet pak më të vogël, ju i dhatë infuzion që të mund të lëvizë pak më komod dhe për shkak të atyre 1 a 2 deputetëve që bënin problem.”- tha Albert Musliu, Analist.

Alternativa u fut në Qeveri në kohën kur ende kryeministër ishte Zoran Zaev, për të cilin, Zeqirija Ibrahimi tregoi se kur ka biseduar me Afrim Gashin, Zaev tekstin e marrëveshjes e ka dakorduar edhe me partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, të cilët janë pajtuar.