Kryetari i “Levicës” Dimitar Apasiev ka tërhequr nënshkrimin nga lista për rrëzimin e qeverisë. Përveç tij nënshkrimin e kanë tërhequr edhe 16 deputetë të tjerë, por sipas dokumentit të dërguar nga Kuvendi, mes deputetëve që kanë tërhequr nënshkrimet nuk është edhe ai i deputetit tjetër të “Levicës” Borisllav Kërmov. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, që është edhe deputet në Kuvend, thotë se simbolika ishte tek Apasievi.
“Për ne ka qenë me rëndësi simbolika e asaj politike që është zotëri Apasiev. Është çështje teknike, deputeti tjetër nuk është në Shkup, ai brenda ditës, është thënë se do ta tërheqë nënshkrimin, por tërheqja e z.Apasiev kanë qenë problem edhe për z.Rexhepi dhe në përgjithësi për shqiptarët”, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
TV21 mëson se Kërmovi nuk ka arritur në kohë në Kuvend për të firmosur tërheqjen nga lista. E me ose pa të, tashmë Alternativa ka vendosur që nesër të votojë për rrëzimin e Qeverisë.
“Ne si 4 deputetë të Alternativës kemi vendosur që unanimisht të unifikuar, bashkë, nesër të votojmë për mosbesimin e Qeverisë”, shtoi Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.
Sa i përket formimit të një qeveri të re, Gashi tha se nuk dëshiron të paragjykojë, por ajo që e di është se në cilën qeveri do të bënte pjesë partia e tij.
“Dua të ju them se Alternativa asnjëherë nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, apo do jetë pjesë e vetëm asaj Qeverie e cila e ka të qartë, të proklamuar kursin e vet euroatlantik dhe për politika për fqinjësi të mirë”, potencoi Gashi.
Pyetja marrëdhëniet me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët i erdhi pak e papritur.
“Ne kemi komunikim me z.Sela… Kjo fazë ka qenë e rëndë për të gjithë ne dhe uroj që secili prej nesh nëse i ka thënë dikujt ndonjë fjalë që nuk duhet, duhet t’i të kërkojnë falje njëri-tjetrit”, u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Ai që hapur doli kundër nënshkrimit të Apasievit në listën me 61 firma deputetësh ishte deputeti Skender Rexhepi, i cili deklaroi se është prerë në besë nga kreu i ASH-së Ziadin Sela, për shkak se në vend të dy deputetëve të PLD-së, në listë janë nënshkruar 2 të Levicës. Sela si kundërpërgjigje i tha se ai e ka ditur dhe se nuk është fëmijë që dikush ta mashtrojë.
