Aliu: Punëtorët e huaj në ndërtimtari janë më të mirë se punëtorët tanë

TË FUNDIT

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nuhi Aliu në Biznes 21 në TV21 deklaroi se një pjesë e punëtorëve të huaj të angazhuar në kompanitë vendase, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, tregojnë produktivitet më të lartë dhe etikë pune më të fortë se forca punëtore vendase.

“Nuk jemi të kënaqur me punëtorët e huaj në përgjithësi, përjashtim bën sektori i ndërtimtarisë, ku ata tregojnë njohuri dhe përkushtim në punë, dhe vlejnë më shumë se punëtorët tanë”, deklaroi Aliu.

Ai theksoi se kudo në rajonin tonë ka kërkesë për punëtorë të mirë.

“Ne, si odë ekonomike, madje kemi ndërmarrë një iniciativë për hapjen e disa qendrave për trajnim dhe aftësim të zejtarëve. E dini si është puna, dikur kishim shkolla fillore dhe të mesme profesionale, ku përgatiteshin këta punëtorë për zanate të ndryshme – dhe gjithçka funksiononte mirë. Por vitet e fundit nuk kemi më shkolla të tilla. Prandaj kemi propozuar hapjen e qendrave apo shkollave të veçanta ku do të trajnohen dhe aftësohen punëtorët për sektorin e ndërtimtarisë”, shtoi Aliu.