Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nuhi Aliu në Biznes 21 në TV21 tha se për sipërmarrësit është e pranueshme që paga minimale në Maqedoninë e Veriut të bëhet 500 euro, por paralajmëroi se me këtë do të rriteshin çmimet e produkteve, pasi siç thekson Aliu, do të rriteshin edhe shpenzimet.
“Për ne biznesmenët është e pranueshme të jetë 500 euro, edhe më tepër të jetë, por produktiviteti është këtu me rëndësi . A është produktiv dhe nëse tregu ata produkte i pranon, me ata çmime, të rritura, për shkak të rritjes së pagës minimale, do të rriten shpenzimet, do të rriten edhe çmimet”, tha Aliu në TV21.
Aliu theksoi se edhe pse disa kompani në vend kanë arritur të rrisin pagat për të punësuarit, ka edhe firma që përballen me vështirësi serioze financiare dhe nuk mund të paguajnë rregullisht pagat.
“Ekzistojnë kompani që nuk paguajnë rrogat, dhe kjo nuk është një fenomen i panjohur. Si ekonomistë e dimë që ndonjëherë disa firma mund të mos jenë likuide dhe të mos kenë mjete për pagesat e pagave”, deklaroi Aliu.
“Disa kompani ishin të përgatitura dhe rritën pagën minimale dhe mesatare, por ka edhe të tjera që nuk kanë një pozicion të qëndrueshëm në treg, nuk mund të shesin produktet e tyre dhe të arrijnë fitim. Thjesht, këto kompani nuk janë konkurruese”, shtoi ai.
Sipas Aliut, zgjidhja qëndron në rritjen e konkurrencës së tregut, lehtësimin e qasjes në financa dhe krijimin e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.