Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka lënë ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe është rikthyer në banesën e tij, pasi ka kaluar me sukses problemet e fundit shëndetësore.
Sipas mediave në Shqipëri rreth pesë ditë më parë, Moisiu u shtrua me urgjencë në QSUT për shkak të disa shqetësimeve shëndetësore. Pas ndërhyrjes dhe trajtimit të nevojshëm mjekësor, gjendja e tij është stabilizuar dhe është përmirësuar ndjeshëm.
Aktualisht, ish-kreu i shtetit shqiptar gëzon shëndet të mirë dhe ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa mjekët kanë vlerësuar se nuk ka më nevojë për qëndrim spitalor.
QSUT ka publikuar gjithashtu një fotografi të ish-Presidentit Alfred Moisiu së bashku me një nga mjeket që u kujdes për të, duke shoqëruar imazhin me një mesazh falënderimi dhe urimi.
“Faleminderit President Moisiu për besimin e treguar ndaj mjekëve të QSUT. Ju urojmë shëndet të plotë dhe jetë të gjatë”, thuhet në postimin zyrtar të Qendrës Spitalore Universitare.
Lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të ish-Presidentit është pritur pozitivisht nga publiku dhe figura të shumta të jetës publike.
