Përderisa Rexhail Qerimi, ndërroi jetë në burgun e Idrizovës duke pritur nëse do të ketë rigjykim për rastin “Alfa”, Gjykata e Apelit, Gjykata Penale dhe Prokuroria nuk kanë bërë asgjë në drejtim të përshpejtimit të lëndës.
Gati 9 muaj që nga dita kur janë dorëzuar prova të reja, gjegjësisht ekspertiza forenzike e bërë në Serbi, raport sipas së cilit thotë se Rexhail Qerimi dhe Agim Islami , nuk kanë asnjë lidhje me personat që vranë policin shqiptar të njësitit “Alfa”, sistemi gjyqësor assesi të procedojë as lëndën e as ekspertizën.
Nga Gjykatat Penale thonë se lënda është në Gjykatën e Apelit, dhe se për këtë arsye ata nuk mund të veprojnë mbi lëndën.
“Lënda ende është nën kompetencat e veprimit të Gjykatës së Apelit, ndërsa kur do të kthehet në shkallën e parë menjëherë do të dorëzohet për mendim në Prokurorinë. Për këtë do të informohen edhe palët e përfshira në lëndë”, njoftojnë nga Gjykata Penale.
Por sipas burimeve të TV21 brenda Gjykatës Penale, thonë se lënda ka ngecur për shkak se gjykatësi që kishte rezultuar me Covid-19 e që lënda është e tij, ende nuk është kthyer në punë.
“Ende nuk është nënshkruar nga gjykatësi i cili është me Covid-19. Nëse do të paraqitet për një kohë të shkurtë në punë atëherë ai do të veprojë më lëndën sipas ndarjes së lëndës me sistemin “Akmis”, nëse paralajmëron mungesë për periudhë më të gjatë kohore atëherë gjykatës tjetër do ta procedoje lëndën”, thanë burime brenda Gjykatës.
Lënda ende nuk është dërguar as në Prokurori për të marrë mendim mbi provat e reja të dorëzuara e as në Byronë për ekspertizë, ndërsa Agim Islami është i vetmi që ka mbetur tanimë në burgun e Idrizovës i dënuar me burg të përjetshëm në pritje që gjykata të vendosë diçka mbi fatin e tij. Rasti “Alfa” ka ndodhur më 26 nëntor të vitit 2008, ku mbeti i vrarë një polic shqiptar dhe 2 policë të tjerë të plagosur. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm tanimë të ndjerin Rexhail Qerimin, Agim Islamin, ndërsa Almir Dërplani u dënua në mungesë.
