Aleku është foshnja e parë në vitin 2024/ U lind në mesnatë, ministri Mexhiti kishte vënë bast se do të ishte mashkull

TË FUNDIT

Në sekondat e para të vitit të ri u lind foshnja e parë, një djalë i shëndosh që peshon 3.706 kg dhe është i gjatë 52 centimetra, ndërsa lindja është kryer në mënyrë natyrore. Ky është fëmija i parë i nënës Natasha Stefkovska nga Shkupi e cila një kohë të gjatë ka pritur për të pasur fëmijë. Ata i vizituan ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe ministrja për punë dhe politikë sociale Jovana Trençevska. Ministri Mexhiti tha se ka vënë bast se foshnja e parë do të jetë mashkull.


“E kam nder të madh sepse kjo është kolegia jonë, dentiste, ndërsa të premten, në atmosferë të relaksuar vura bast se do të jetë mashkull, dhe kjo gjë u plotësua, kështu që kjo do të thotë se do të realizohen edhe të gjitha projektet që i bëjmë bashkë në sferën e shëndetësisë. Ky vit nuk do të jetë si vitin që e lamë pas, me rutinë dhe skandale”- deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Ministrja Trençevska, Alekut i uroi fëmijëri të lumtur.
“Pikërisht në mesnatë u lind foshnja e parë e gjinisë mashkullore, Aleku, i uroj prindërve. Qoftë me shëndet dhe jetë të gjatë, pastë fëmijëri të lumtur, gjithsesi edhe ata qofshin prindër të lumtur për shkak se kjo është fëmija e tyre e parë”- deklaroi Jovana Trençevska, ministre e Punë dhe Politikës Sociale.


Përndryshe, gjatë natës, brenda 15 minutave të para të viti të ri, janë lindur tre foshnja. Drejtoresha e Gjinekologjisë, Viktorija Jovanovska tha se të gjitha tre nënat sikur të garonin se cila do të lindë e para.
“Viti filloi bukur, janë lindur tre foshnja në mënyrë spontane në 15 minutat e para të vitit të ri, që është shenjë e mirë se viti do të jetë më i mirë se viti paraprak dhe shpresojmë të ketë sa më shumë foshnja të shëndetshme dhe prindër të lumtur.”- tha Viktorija Jovanovska, Drejtoreshe e GAK-ut.


Mjeku Goran Dimitrov i cili ka kryer lindjen e foshnjës së parë, u dërgoi mesazh të gjitha femrave që të ndjekin shembullin e nënës Stefkovska e cila një kohë të gjatë ka pritur për tu bërë nënë.