Aleanca në pritje të ofertës/ Nëse e marrin, do të përpilojnë platformë konkrete

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët ende po pret për një ofertë konkrete nga ekzekutivi për përfshirjen e saj të mundshme në Qeveri. Nga kjo parti theksojnë se në rast të ndonjë oferte, do të përpilohet platformë konkrete me kërkesa, si përgjigje ndaj ekzekutivit.

“Nuk kemi ende ofertë konkrete dhe as bisedime. Ka sinjale, i keni dëgjuar edhe vetë përfaqësuesit qeveritar se kanë interesim. Por nëse vjen ndonjë kërkesë ose propozim për përfshirjen tonë në Qeveri, ne do të përpilojmë një platformë konkrete, program qeverisës me pikat që ne vlerësojmë se janë të rëndësishme për qytetarët dhe vendin dhe do tua paraqesim si përgjigje. Nëse pranojnë të bëhen ato ndryshime, projekte, progres, do ta shqyrtojmë marrjen e përgjegjësive, nëse jo, ne nuk jemi për pazare të tjera”- thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Partitë politike në deklarata publike shprehen se zgjerimi i shumicës parlamentare është mision dhe unifikim për proceset evropiane dhe nuk ka të bëj me interesa partiake. Edhe pse tashmë po përflitet për disa ministri që mund të marr ASH, kreu i BDI-se Ali Ahmeti refuzon të pranojë se kanë diskutuar për ndarjen e resorëve ose posteve ministrore, të cilat do t’i takonin këtij subjekti politik nëse arrin të futet në shumicë.

“Nuk është biseduar në detaje, nuk është biseduar. Këto janë çështje të vogla për misionet që ne kemi përpara”- tha Ali ahmeti – kryetar i BDI-së.

Ahmeti tha se kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari janë në komunikim sa i përket kësaj çështje.

“Ky zhvillim nuk ka të bëjë me interesa të ngushta partiake, thjesht ka të bëjë me unifikimin e faktorit politik për proceset evropiane. Z.Kovaçevski është në bisedime me kreun e Aleancës, akoma nuk është biseduar për detaje. Me rëndësi që palët kanë shprehur vullnet për një proces që do unifikim dhe që do koordinim”- pohoi Ali ahmeti – kryetar i BDI-së.

Jozyrtarisht mësohet se ASH në fillim ka kërkuar katër ministri, nga Qeveria i kanë ofruar dy, ndërsa tash për tash mësohet se ka gjasa që si marrëveshje finale të mbetet që ASH-së t’i jepen 3 ministri. TV21 po ashtu nga burime të tij mëson se ASH me shumë gjasa do të duhet të zgjedhë mes Ministrisë së Shëndetësisë, të Drejtësisë, të Bujqësisë, të Arsimit dhe Mjedisit. Nëse eventualisht ASh i kërkon dy resorë nga e njëjta parti, atëherë LSDM e BDI mes vete do të bëjnë këmbime të resorëve.