Alcaraz “mbreti” i ri i Wimbledon, ul nga froni serbin Novak Gjokoviq

TË FUNDIT

Carlos Alcaraz është kampioni i ri i Wimbledon. Talenti spanjoll, mposhti Novak Djokovic 3-2 në një finale dramatike dhe plot emocione në turneun më prestigjioz në sportin e tenisit. Finalja e madhe zgjati 4 orë e 42 minuta!

Serbi fitoi 6-1 setin e parë, por Alcaraz u rikthye me karakter dhe kaloi në avantazh 2-1 falë sukseseve 7-6 dhe 6-1.

36-vjeçari reagoi dhe fitoi setin e katërt 6-3. Betejë e zjarrtë në setin final. Në fund triumfoi freskia fizike dhe talenti i spanjollit, i cili triumfoi 6-4 dhe siguroi për herë të parë në karrierë suksesin në Wimbledon.

Alcaraz bëhet tenisti i tretë spanjoll që fiton këtë turne pas Manolo Santana (1965) e Rafael Nadal (2008 dhe 2010).

Ndërkohë që në moshën 20 vjeç e 72 ditë, ai shndërrohet në kampionin e tretë më të ri të Wimbledon.

Pas gjermanit Boris Becker në vitin 1985 (17 vjeç e 8 muaj) dhe suedezit Bjorn Borg në vitin 1976 (20 vjeç e 27 ditë).

Alcaraz kthehet në tenistin e parë që siguron 2 turne Slam në moshë kaq të re, ndërkohë që Djokovic mbetet në kuotën e 7 fitoreve në Wimbledon, duke mos e barazuar dot legjendën Roger Federer.

Tenisti serb nuk humbiste një sfidë në Wimbledon prej dhjetë vitesh në fushën qendrore. Ishte viti 2013 kur mposhtej nga Andy Murray. Disfata e fundit për të në turneun më madhështor.