Qendërmbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, ka postuar një fotografi domethënëse në Instagram pas barazimit 1-1 mes Kosovës dhe Zvicrës në “Fadil Vokrri”. Në imazh, Hajdari shfaqet së bashku me mesfushorin e Kosovës Leon Avdullahu dhe kapitenin e Zvicrës Granit Xhaka.
Mbi fotografi qëndron mbishkrimi: “Ne jemi një”, një mesazh i qartë uniteti në një moment kur Xhaka u përball me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve gjatë gjithë ndeshjes në Prishtinë.
Ky postim është interpretuar gjerësisht si një reagim ndaj asaj situate dhe një thirrje për respekt e bashkim mes lojtarëve shqiptarë, pavarësisht fanellës që mbrojnë.
Në fund, vlen të theksohet se Albian Hajdari nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje, por gjithsesi zgjodhi të dërgojë një mesazh të fortë sportiv dhe njerëzor.
