“Alarmante gjendja me Covid”, Mavrovë-Rostushe kërkon mësim online

TË FUNDIT

Shtabi i Krizës të Komunës Mavrovë dhe Rostushe për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19, ka kërkuar që shkollat që gravitojnë në këtë rajon, të fillojnë vitin shkollor nga distanca dhe kjo të zgjasë për një muaj.

Këtë kërkesë siç sqarojnë nga Shtabi i Krizës, e bazojnë në prezantimin e gjendjes momentale me Covid-19 nga Shtëpia e Shëndetit “Ruse Boshkovski”, e cila thotë se është jashtë kontrollit.

“Në bazë të të dhënave të prezantuara, gjendja momentale vlerësohet si alarmante, gjegjësisht se gjendja është jashtë kontrollit. Virusi është shpërndarë në të gjitha vendbanimet e komunës. Për momentin ka mbi 500 raste aktive, numri i tyre është shumë më i lartë, sepse shumë të infektuar edhe pse janë aktiv, nuk paraqiten për kontrolle në fazën fillestare”, thuhet në sqarimin e kërkesës së dërguar deri te Ministria e Shëndetësisë dhe Komisionit për sëmundje ngjitëse, transmeton TV21.

Shtojnë, se ky numër për një komunë kaq të vogël, “është dramatik”.

“Kërkojmë që të sillet vendim për ndjekjen e mësimit online në kohëzgjatje prej në muaj për të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore dhe shkollave të mesme komunale”, thonë nga Shtabi i krizës.

Vlerësojnë se në këtë mënyrë do të parandalohet shpërndarja e mëtutjeshme e virusit.

Paraprakisht, mësim online kërkoi edhe Shtabi i krizës së komunës së Tetovës. Komisioni për sëmundje ngjitëse e pranoi pjesërisht. Solli vendim që mësimi online të zhvillohet vetëm në shkollat e mesme, për dy javë edhe atë në Tetovë dhe Gostivar.