Akuzë për kryetaren e Antikorrupsionit, dyshohet se ka dorëzuar sekrete zyrtare për rastin “Aditiv”

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë kundër Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Antikorrupsion, për dorëzimin e sekretëve zyrtare tek i akuzuari në rastin “Aditiv”. Ajo ka nxjerrë dhe fotografuar të dhëna nga dosjet e Komisionit Antikorrupsion lidhur me prokurimet e aditivëve dhe mazutit në kompanitë shtetërore të energjisë, të cilat i ka dorëzuar Nebojsha Stojanoviçit, ish-drejtor i Termocentralit në Negotinë, i akuzuar në këtë rast.

Tatjana Dimitrovska akuzohet gjithashtu se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e informacionit të klasifikuar dhe ka marrë në mënyrë të paligjshme certifikatën për akses në “sekret shtetëror”. Një revizionist në Zyrën Shtetërore të revizionit, duke përdorur kodet dhe fjalëkalimet e saj, ka ndjekur në emër të saj trajnime dhe ka kryer testet për të siguruar certifikatën.

Në këtë rast është i akuzuar edhe bashkëpunëtori i saj. Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj dy personave të tjerë, ndërsa në aktakuzën e paraqitur në Gjykatën Themelore Penale, personi që ishte tashmë i akuzuar në rastin “Aditiv” tani akuzohet edhe për vepra të tjera penale.