Akuza dhe dyshime për përgjimet, partitë vazhdojnë “zënkat” kush kë e përgjoi

TË FUNDIT

A ka qenë Mickoski i ndjekur apo kanë qenë të ndjekura grupet me aktivitete të dyshimta me të cilat ka qenë në kontakt dhe ka komunikuar kryetari i opozitës së atëhershme VMRO-DPMNE? Këtë pyetje e shtroi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe në intervistën për “Sloboden Peçat”, i cili tha se kjo do të bëhet më e qartë nëse plotësohet kërkesa e tyre, përkatësisht që sa më shpejt të deklasifikohen dokumentet.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë dhe thonë se me këtë deklaratë LSDM pranon se e kanë ndjekur dhe përgjuar Mickoskin.

Bujar Osmani nga BDI, nga ana tjetër, thotë se anëtarëve të tyre nga Koalicioni me qëllim nuk u jepet certifikatë sigurie, që të mos mund të kryejnë kontrollet.

Dyshime se janë përgjuar ngre edhe Bilall Kasami nga VLEN, sipas të cilit kanë informacione që flasin se janë përgjuar. Ai thotë se në momente të caktuara në opinion kanë dalë informata të cilat më herët nuk kanë qenë të plasuara.

Përndryshe, ditëve të fundit pati edhe përplasje ndërpartiake në drejtim të sigurimit të një seance të Komisionit për mbikëqyrje mbi punën e ASK-së. Pas caktimesh e më pas shtyrjesh, dje pasdite vonë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi njoftuan se seancë e Komisionit do të ketë të mërkurën, dhe atëherë do të ketë edhe vizitë në Agjenci.