Puna në zonat zhvillimore industriale teknologjike shënon përparim, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti është realizuar aktiviteti më i lartë ekonomik, u lavdërua njeriu i parë i këtij institucioni Jovan Despotovski. Ai tha se brenda kësaj periudhe janë lidhur marrëveshje për investime të reja të huaja në vlerë prej 105 milionë eurove, që sipas tij, do të hapin 1.850 vende të reja të punës. Projeksionet deri në fund të mandatit janë edhe më të mëdha.
“Deri në fund të mandatit, pres investime të reja në vlerë prej 1 miliard eurove dhe 14 mijë vende shtesë të punës. Këtë nuk e themi vetëm si dëshirë të kotë, por e themi në bazë të faktit se për momentin bisedojmë me 30 kompani të cilat planifikojnë investime prej mbi 400 milionë eurove dhe 8.500 vende të punës”, tha Jovan Despotovski – drejtor i DZZHIT.
Despotovski tha se para pak kohësh ka zhvilluar takime edhe me sektorin e biznesit, duke shtuar se përpiqen të tërheqin investime edhe në rajonet e tjera të vendit.
“Bëmë analizë, përkatësisht vlerësime, për herë të parë pas 20 vjet për atë se sa ia vlen realisht toka të cilën shteti e ka në dispozicion në zonat zhvillimore industriale teknologjike, që është një prej veglave për nxitje të zhvillimit të barabartë rajonal. Ajo që është e rëndësishme është se të gjithë investitorë që duan të investojnë në zonat më të mëdha urbane, konkretisht në Shkup, do të kenë më pak përfitime nga shteti, për dallim nga ata që do të investojnë në zonat e tjera”, shtoi drejtori i DZZHIT, Jovan Despotovski.
Sa i përket vitit 2020, Maqedonia ka ulje më të madhe të investimeve të huaja në rajon, tregojnë të dhënat që janë publikuar nga Konferenca për Tregti dhe Zhvillim e Kombeve të Bashkuara. Investimet e huaja në rajon për 2020 janë ulur për 14% në krahasim me 2019. Në Maqedoni ulja ishte thuajse tre herë më e madhe. Vetëm Mali i Zi ka arritur t’i rrisë investimet e huaja, madje edhe në kohë pandemie. Në 2020 Maqedonia ka pasur investime të huaja në vlerë prej 224 milionë dollarëve, që është më pak në krahasim me vendet e rajonit.
