Aktakuzë për tragjedinë në Koçan

TË FUNDIT

34 persona fizik dhe tre juridik u përfshinë me propozim-aktakuzën për tragjedinë në Koçan. Prokuroria ka caktuar se piroteknikën e solli grupi muzikor dhe është blerë në mënyrë joligjore, ndërsa të akuzuar të parë në lëndë janë pronari i diskotekës dhe pjesë e familjes së tij.

“Për shkak të materialeve të inkorporuara në ndërtesë që nuk ishin rezistentë ndaj zjarrit dhe punimeve të pasigurta të ndërtimit, një zjarr i hapur filloi të përhapet spontanisht, i shoqëruar nga tym dhe temperatura të larta brenda ndërtesës, gjë që shkaktoi një tollovi dhe ikje masive, të pakontrolluar dhe në panik të vizitorëve përmes daljes së vetme të evakuimit, e cila nuk ishte e sigurt”, u shpreh kryeprokurori Lupço Kocevski.

Të akuzuar janë edhe personat nga kompania e sigurimit.

“Ata e siguruan klubin Puls pa një kontratë me shkrim, pa vlerësim paraprak të sigurisë dhe inspektim të kushteve të sigurisë së objektit, rrezikut dhe mundësisë së evakuimit”, potencoi Lupço Kocevski – kryeprokuror.

Por përgjegjësi kërkohet edhe nga inspektorët ndërtimorë në Koçan për shkak të gjendjes së objektit, sepse gjatë gjithë periudhës aspak nuk kanë kryer inspektim, gjë që e kishin obligim. Kocevski njoftoi se pjesë e aktakuzës ka të bëjë edhe me kryetarët e Koçanit nga 2012 deri më sot.

“Ekzistenca dhe funksionimi i objektit Puls nuk u raportua kurrë në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ministrinë e Brendshme, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Ministrinë e Ekonomisë, duke deklaruar se objekti funksionon pa përmbushur kërkesat ligjore për këtë qëllim”, deklaroi kryeprokurori Lupço Kocevski.

Për këtë rast, para gjykatës pritet të dalin edhe katër drejtorë të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.

“Gjatë gjithë asaj periudhe nuk kanë marrë vendim për të vendosjen e një punëtori – inspektor për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Koçanit”, theksoi Lupço Kocevski – kryeprokuror.

Nga Ministria e ekonomisë janë përfshirë pesë nëpunës, një sekretar dhe dy ish ministra. Por njëri nga nëpunësit akuzohet edhe për marrje ryshfeti.

“Në vitin 2019, ai kërkoi dhe mori 12000 denarë shpërblim në para nga i akuzuari i parë, të cilat iu paguan në llogarinë e tij bankare. Megjithatë, në vitin 2024, për një përfitim më të madh financiar prej 226000 denarëve, ai përgatiti dy licenca të falsifikuara për të akuzuarin e parë, të cilat i certifikoi me vulën zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe të cilat i nënshkroi me dorën e tij sikur të kishte nënshkruar e akuzuara sekretarja shtetërore”, shtoi kryeprokurori Lupço Kocevski.

Katër inspektorë nga Inspektorati i Tregut do të ndiqen penalisht gjithashtu për ngjarjen. Kocevski nuk donte të zbulonte se ndaj cilëve individëve është ndërprerë procedura për shkak të mungesës së provave, edhe pse ata ishin të dyshuar më parë. Të gjithë akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike. Kocevski shtoi se të gjithë nëpunësit e policisë që u ndaluan janë ende nën hetim, por procedurat kundër tyre i udhëheq Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Dje u ndaluan gjithashtu 13 nëpunës policorë nga Koçani dhe rajoni, të cilët ishin në vendin e ngjarjes për të kryer një aksion policor, por, siç shtoi Kocevski, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të pranishmit.