Një protestë e re e aktivistëve qytetarë nga organizata mjedisore “Stop për Usje-n” kundër ndotjes nga fabrika e çimentos. Protesta këtë herë u mbajt para Ministrisë së Mjedist, pasi dje “Titan Usje” dorëzoi kërkesën për lejen e re A-integruar mjedisore. Nga “Stop Usje” thonë se edhe më parë fabrika e ka marrë këtë leje, por pavarësisht kësaj vazhdon ta ndotë Shkupin.
“Leja aktuale, siç kemi thënë shumë herë më parë, e lëshuar në vitin 2020, ka ardhur koha të rinovohet. Ne e kemi quajtur atë leje, leje për helmin legal. Nëse merren parasysh të gjitha propozimet tona, leja e re e Usjes do të jetë një leje reale A-integruar mjedisore, e cila do ta detyrojë Titan Usje të funksionojë si një fabrikë çimentos moderne, sipas shembullit të fabrikave të tjera të çimentos në botë. Dhe shpresojmë që këtë herë Ministria e Mjedisit do të zgjedhë anën e duhur”, tha një aktiviste e “Stop për Usje”.
Aktivistët bllokuan rrugën pranë Ministrisë dhe organizuan aksion gueril dhe me vendosjen e karrigeve për ministrin Muamet Hoxha, zëvendësen Ane Lashkovska dhe drejtuesen e sektorit Besa Tateshi, kërkojnë të organizohet një debat publik, në të cilin të pranohen vërejtjet dhe kërkesat e tyre. Leja duhet të jetë në përputhje me rregulloret evropiane dhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, thanë aktivistët.
“Të ulet ndjeshëm kufiri i këtyre vlerave maksimale, kjo është një gjë, dhe gjëja e dytë janë kontrollimet, si bëhen kontrollimet në atë leje të integruar; fabrika e çimentos i bën vetë kontrollimet, d.m.th. i jep Ministrisë një pjesë ku ata verifikojnë. Ne duam që vetë institucionet kompetente t’i bëjnë kontrollimet”, u shpreh një tjetër aktiviste e “Stop për Usje”.
Aktivistët e “Stop për Usje” deri tani kanë organizuar disa protesta, dhe atë para fabrikës së çimentos si dhe para Qeverisë, dhe kanë kërkuar edhe zhvendosjen e saj jashtë Shkupit. Nga kompania, më parë disa herë reaguan se punojnë sipas të gjitha normave ligjore të lejuara.
Përmes një komunikate me shkrim, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thanë se ministri Hoxha respekton dhe mbështet çdo protestë paqësore si një e drejtë demokratike e qytetarëve dhe mbetet i përkushtuar për forcimin e transparencës dhe hapjes së institucionit.
“Në këtë drejtim, siç është paralajmëruar tashmë para mediave, Ministria do të organizojë një debat publik për procedurën e rinovimit të lejes për USJE, për të cilën tashmë është paraqitur kërkesë. Në debat do të ftohen të gjitha palët e interesuara, përfshirë përfaqësues të organizatave dhe iniciativave qytetare si dhe të ekpertëve. Ne besojmë se kontributi thelbësor arrihet përmes një dialogu të hapur dhe të argumentuar brenda kornizave institucionale” thuhet në komunikatën e ministrisë, duke përfunduar se Sektori civil është një partner i rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
