Aksidenti i ri ndërpreu prodhimin në TEC Manastir! Mungesa e energjisë elektrike mbulohet nga rrjeti i BE

TË FUNDIT

Prodhon 80% të energjisë elektrike që përdoret në Maqedoni, ndërsa ditët e fundit TEC Manastir po përballet me probleme të shumta që pengojnë prodhimin, e gjithë kjo ndodh në momentin kur vendi është para dyerve të krizës energjetike.

TEC Manastir është jashtë funksionit, qymyr ka për dy ditë dhe mund të mos ketë rrymë, deklaroi në konferencën e sotme për media Gordana Dimitrieska Koçoska, nga VMRO-DPMNE. Asnjëherë deri më tani TEC Manastir, siç thotë, nuk ka qenë jashtë funksionit në mes të sezonit të nxehjes.

“TEC Manastir është kurrizi i sistemit energjetik në vend dhe garantues se shteti nuk do të mbetet pa rrymë. Ky kapacitet për shkak të paaftësisë së qeverisë është jashtë funksionit. Pasi para disa ditësh e kapluan flakët e zjarrit transformatorin e Bllokut  3, këtë mëngjes ka probleme edhe me bllokun 1. TEC për herë të parë nuk prodhon energji elektrike dhe kjo gjë nuk është e paplanifikuar, por për shkak të paaftësisë,  në mes të krizës kur çmimet e energjisë elektrike në bursat botërore rrëzojnë rekorde“, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska,VMRO-DPMNE.

Nga TEC Manastir paraprakisht kumtuan se, për shkak të defektit, mbrëmë është shkyçur Blloku 1. Pritet që defekti të sanohet deri në orët e mbrëmjes dhe blloku përsëri të kyçet në rrjetin elektro-energjetik.

“Për shkak të defektit të kazanit të bllokut 1, për  të cilin nuk ekzistonte asnjë mundësi të sanohet derisa stacioni është në funksion, mbrëmë në orën 3, blloku 1 është shkyçur  nga rrjeti elektro -energjetik të vendit. Bëhet fjalë për shkyçje të planifikuar të bllokut me qëllim që të sanohet gypi i shpërthyer, gjë që konsiderohet defekt i lehtë i stacionit“, thonë  nga TEC MAnsatir.

Nga Termocentralet e Maqedonisë së Veriut, shtojnë se i plotësojnë nevojat nga kapacitete e tjera, si dhe me blerjen e energjisë elektrike si rezervë për shkak të ndërprerjeve të tilla të shkurtra. Bëhet fjalë për aftësimin e Bllokut 2 i cili ishte në remont dhe pritet që ky stacion të jetë në rrjet deri në fund të javës.

Sot edhe nga “Hekurudha – infrastruktura” informojnë se do të përfshihen në aspektin logjistik në zgjidhjen e krizës energjetike dhe ndërmarrin aktivitete që të vendosen në funksion kapacitetet për transportin e qymyrit dhe mazutit.

Me vetë iniciativë, HRMV-së Infrastruktura, si kompani me përgjegjësi shoqërore, filluan me përgatitjen e stacionit hekurudhor “Nikolla Karev” afër Manastirit,  i cili për momentin është jashtë funksionit, ndërsa paraqet pika më e afërt për përkrahje logjistike të transportit hekurudhor  të qymyrit  deri në TEC Manastir”, pohoi Hari Llokvenec, drejtor i Hekurudha – Infrastruktura.

Energjia elektrike në TEC Manastir prodhohet në mënyrë më të lirë, por edhe më të ndyrë, me djegien e lignit, qymyrit me cilësi më të dobët. Në mënyrë shtesë në TEC Manastir shpenzohen edhe deri më 35 mijë tonelata mazut në nivel vjetor. TEC Manastir është një prej ndotësve më të mëdhenj në Evropë me më shumë se 31 mijë tonelata të dioksid squfuri në nivel vjetor dhe 2 491 tonelata grimca PM10, duke e bërë një prej 10 centraleve më vdekjeprurëse në Evropë.