Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar sot pasdite një zyrtar policor, i dyshuar për shkaktimin e aksidentit fatal ku humbi jetën një këmbësor i moshuar në Prizren.
IPK bënë të dituar se të dyshuarit i është caktuar nga Prokuroria masa e ndalimit për 48-orë.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugë.
“Hetuesit e IPK-së u njoftuan sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën ‘Ismajl Kryeziu’, kur zyrtari duke qarkulluar me veturën private ka goditur këmbësorin, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren. Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke shkaktuar aksidentin. Për këtë rast është iniciuar procedim penal për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’, kurse i dyshuari është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh,” njofton IPK.
___________________
Aksident në Prizren, një person humbi jetën
Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditën e sotme në Prizren, ku një veturë ka goditur për vdekje një këmbësor.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili pohoi se ngasësi i automjetit është një zyrtar policor.
Ky i fundit, sipas Bytyqit, ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe po lëvizte automjetin privat të tij, kur goditi viktimën.
“Sot rreth orës 18:12, në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren, ka ndodhur një aksident trafiku – goditje e këmbësorit, i cili fatkeqësisht ka përfunduar me fatalitet.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse si dhe eprorët policorë. Nga informacionet e para është kuptuar se viktima është një person i gjinisë mashkullore, rreth 80 vjeçar.
Ndërsa, i dyshuari në këtë rast është një zyrtar policor nga Prizreni, i cili në momentin e aksidentit ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe ka qenë duke lëvizur me veturë private.
I dyshuari aktualisht ndodhet në Stacionin Policor të Prizrenit.
Për veprimet e mëtejshme administrative dhe penale do të koordinohemi me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorin Kujdestar, për çka do të njoftoheni me kohë.
Lidhur me rastin janë njoftuar Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët janë duke u marrë me procedurat e nevojshme hetimore”, ka thënë Bytyqi./21Media
