Barnatorja Qendrore e QKUK-së është pajisur për herë të parë me licencë nga Agjensioni i Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).
Pajisja me Licencë e Barnatores Qendrore, gjithashtu, bën që kjo barnatore të licencohet edhe për operim me barnat narkotike, ku AKPPM dorëzon librat e operimit me narkotikë që në mënyrë strikte paraqesin kontrollin e zinxhirit të narkotikeve prej ordinuesit-mjekut deri te pacienti.
Për këtë qëllim janë takuar sot U.D Kryeshefi i AKPPM-së, Arianit Jakupi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Dr Curr Gjocaj.
Në një komunikatë për media thuhet se gjatë takimit u diskutua edhe për shumë çështje të tjera të sektorit farmaceutik dhe të shërbimeve që ofrohen nga AKPPM në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës.
Me këtë rast, të parit të SHSKUK-së, U.D, kryeshefi Arianit Jakupi i dhuroi 500 kopje të Regjistrit të barnave 4 dedikuar profesionistëve shëndetësorë që punojnë në SHSKUK, si ndihmesë në punën e tyre të përditshme gjatë përshkrimit të terapisë, ku mund t’i gjejnë informatat më të reja lidhur me barnat të cilat janë të regjistruara në Kosovë, përkatësisht ato që posedojnë Autorizimin Marketing nga AKPPM.
