Fronti Europian është i kënaqur nga rezultatet e arritura të kandidatit për president, Bujar Osmani, tha Rina Ajdari në “Daily Click” të TV21. Ajo shtoi se zgjedhjet parlamentare do t’i fitojë Fronti Europian në taborin shqiptar. Ndërkaq edhe kundërkandidatja për deputete Saranda Imeri nga VLEN tha se janë të kënaqur me votat, siç i quajti, të pastra shqiptare, ndërkohë akuzoi kundërshtarët për shantazhe dhe kërcënime ndaj qytetarëve dhe blerje votash.
“Ne fushatën pothuajse paralelisht e kemi zhvilluar, është një lloj treguesi se zgjedhjet parlamentare do t’i fitojë Fronti Europian në taborin shqiptar, kjo është e pa diskutueshme”, tha Rina Ajdari, Fronti Europian.
“Ky është rezultat që e kemi parashikuar dhe e kemi pritur, mirëpo duke marrë parasysh shantazhet që janë bërë kohëve të fundit te shumica e qytetarëve, blerja e votës, kërcënimi, koalicioni me partinë turke e bëri të veten dhe me partin tjetër të romëve dhe këtu vlen të ceket se z.Taravari ka qenë i pranishëm në zona të ndryshme të Maqedonisë dhe ajo mungesa e tij në terren aty ku e ka votuesin u vëre”, tha Saranda Imeri, VLEN.
Përfaqësueset e dy koalicioneve komentuan edhe mbi numrin e deputetëve që presin nga zgjedhjet parlamentare. Deputetja e BDI-së Ajdari tha se presin rreth 20 deputetë, ndërsa Imeri nga VLEN mbi 13 deputetë.
Ndryshe Rina Ajdari dhe Saranda Imer janë kandidate për deputete në zonën e gjashtë zgjedhore.
