Ahmeti: Zaev flet pasi pi 3 gota raki, Zaev: Nuk pi alkool, asnjëherë s’kam qenë i dehur

TË FUNDIT

“Këto deklarata zotëri Zaev i bën në raste kur pi tre gota raki në kafe dhe bën miting, sepse me mua flet krejt ndryshe dhe pendohet për atë që ka thënë para dy orësh. Zaev është ashtu i ndërtuar që bën deklarata, akrobacione, por unë nuk jam i tillë”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kështu u shpreh lideri i BDI-së Ali Ahmeti në lidhje me deklaratën e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili kishte thënë se BDI do të shkojë në opozitë.

TV21 e pyeti Zaevin se si e komenton këtë deklaratë Ahmetit, Zaev u përgjigj:

 “Nëse dikush nuk pi alkool, ai jam unë Zoran Zaev. E ka gabuar punën tërësisht. Kështu që Zoran Zaev mund të ngre dolli me verë maqedonase, me raki shtëpie, por nën ndikim të alkoolit… asnjëherë nuk kam qenë i dehur në jetën time”, theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zeav.

Megjithatë Ahmeti nuk e përjashton mundësinë që pas zgjedhjeve të vazhdojë përsëri në koalicion me partinë e Zaevit, sepse siç thotë, kanë nisur shumë procese bashkërisht.

Pavarësisht deklaratave të Zaevit ju nuk e përjashtoni koalicionin me të, pas zgjedhor gjithmonë?

“Unë kam deklaruar dhe nuk jam nga ata që qasem paradite dhe ta mohoj pasdite. Në të mirë të BDI do të ishte të fitonte koalicioni partneri aktual, sepse kemi nisur shumë procese bashkërisht, kemi përfunduar shumë gjëra të mëdha bashkërisht, por përsëri them se vendosin qytetarët në fund”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Mirëpo kështu nuk mendon edhe Zoran Zaev.  Ai thotë se BDI do të shkojë në opozitë.

 “Ky është hap populist, hap i rrejshëm i BDI-së i veshur me nacionalizëm dhe asgjë më shumë dhe i bërë për kalkulime partiake politike dhe them se ky lloj I fushatës është keq për BDI-në. Me këtë lloj fushate një është e sigurt se BDI do të shkoje në opozitë dhe do të humb vota”, potencoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndryshe në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, BDI do të garojë si parti e vetme, ndërsa LSDM ka bërë koalicion parazgjedhor me BESËN.