Ahmeti për protestat në Shqipëri: Nuk dihet nga e kanë kokën, kanë rënë në grackën e armiqve

TË FUNDIT

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke folur mbrëmë në Kuvendin e partisë në Butel, u ndal edhe tek protestat në Shqipëri, për të cilat tha se nuk dihet se nga e kanë kokën dhe se po ndikohen nga faktorë të jashtëm dhe sipas tij po shkaktojnë pasoja në sektorë kyç të ekonomisë, veçanërisht në turizëm dhe investime. Ai tha se Shqipëria po përballet me goditje ekonomike dhe politike nga këto zhvillime, duke përmendur ndikime nga Greqia dhe Beogradi, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij nuk është në mbrojtje të një individi politik, por në mbrojtje të shtetit shqiptar dhe stabilitetit të tij ekonomik e kombëtar.

“Ne e shohim që këtu Shqipëria nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje të forta. Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi, goditet tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia sepse turizmi po i rrezikohet Greqisë nga Shqipëria. Që një shtet fqinjë s’bën të mendojë kështu për fqinjin e vet. Po ja që ka ndodhur, sepse deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia. Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bënë fushatën për protestat në Shqipëri. Dikush mund të ngrihet dhe të thotë, Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën? Jo. Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbset Shqipëria”, tha Ali Ahmeti.