Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Kuvend tha se nuk beson që Lëvizja Besa do të del nga koalicioni qeverisës, shkruan TV21. Ahmeti tha se rivotimi në vendvotimin 2107 në Komunën e Zhelinës duhet të realizohet dhe se nuk duhet të bëhet presion ndaj institucioneve që duhet të zbatojnë ligjin.
“Nuk mendoj që do të ndodhë diçka e tillë, sepse nuk ndihmon asgjë Besën, nëse tërhiqet. Mund të përdoret si një lloj presioni ndaj koalicionit, por koalicioni nuk dëmtohet nga deklarata dhe presione të tilla. Mbi të gjitha nuk është mirë sepse po ushtrohet presione ndaj institucioneve që duhet të zbatojnë ligjin”, deklaroi mes tjerash Ahmeti në një deklaratë në Kuvend.
Ahmeti deklaratat e Arijanit Hoxhës nga Lëvizja Besa i cilësoi si emocionale dhe presion ndaj institucioneve.
“Mendoj që janë deklarata emocionale. Është presion i drejtpërdrejt që iu bëhet organeve që janë kompetente tu vendosur rregull dhe drejtësi në vend. Ky është një proces dhe nuk duhet të ushtrohet mbi organet. Nuk është çështje e fshehtë, shihen proces verbalet. Verifikohen kutitë, nuk ka ndonjë fshehtësi ose ndonjë sekret në këtë drejtim dhe nuk ka kurrfarë prapavije komplotesh të kësaj natyre dhe nuk duhet të ushtrohet presion ndaj institucioneve që bëjnë punën e vetë” , deklaroi mes tjerash Ahmeti.
