Përpjekjet dhe kërkesat e anëtarëve të pakënaqur brenda BDI-së, ose të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” për heqjen e Artan Grubit nga ekzekutivi, si duket liderit të kësaj partie nuk bëjnë shumë përshtypje. Ai mbrëmë e bëri të qartë dhe e tha troç, se nuk e ka ndërmend ta heq Grubin nga posti i zëvendëskryeministrit.
“Tani unë nuk mundem të bëj shtëpi të Nastradinit, kush si kërkon. 10 vjet kanë kërkuar ta heq Musa Xhaferin prej zv/kryeministri, nuk e kam hequr, sepse respektoj vullnetin e shumicës, Abdylaqimin me insistim kërkonin ta heq prej zv/kryeministri por nuk e kam hequr sepse e kam respektuar vullnetin e shumicës, tani janë çuar peshë, hiqe Artan Grubin, po nuk e heq sepse është vendim i shumicës”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Nga grupi i zjarrit e kanë përsëritur se qëllimi i tyre nuk është ardhja në Qeveri, por zëvendësimi i ministrave dhe zëvendëskryeministrit me figura të reja. Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti para disa ditëve tha se sa i përket Grubit, këtë që po ndodh lideri i partisë ose nuk e sheh, ose po vepron gabimisht.
“Për Ali Ahmetin, edhe një herë e them, është kryetari im dhe do ti shërbej edhe 4 a 8 vite do të jem pas tij, por ama jo çdo herë…mund edhe Ali Ahmeti ndonjëherë të ketë vendime të gabueshme. Në këtë rast kjo që ndodh me Artan Grubin, ose nuk e sheh ose e bën gabimisht”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Grupi i zjarrit pasi nuk arriti që kërkesat veta t’i realizojë brenda debatit në parti, tashmë disa ditë ka nisur takimet me qytetarë, por të njëjtën gjë nisi ta bëjë edhe lideri Ali Ahmeti bashkë me funksionarët e partisë, bile edhe më intenzivisht. Sonte Ahmeti sërish është në takime me qytetarët në zonën e Gostivarit, ndërsa grupi i zjarrit aktivitetin e radhës e kanë paralajmëruar në Shkup gjatë ditës së mërkurë.
