Në sheshin e Kërçovës, Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti tubim në kuadër të fushatës zgjedhore për Parlamentaret 2020.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti fillimisht të pranishmëve ua uroi ditën e pavarësisë së SHBA-ve, e më pas foli për synimin e BDI-së për Kryeministër shqiptar.
“Mos dëgjoni çka flasin të tjetët, bëhet, nuk bëhet. I gjithë vendi dhe rajoni gati një javë merren me ne, me idenë tonë për kryeministrin shqiptar. E mbani mend para 10 vitesh na akuzonin për Kërçovën na thonin çka bëni dhe sot Kërçova funksionon më mirë se të gjithë. Ne idetë nuk i nxjerrim për t’u tallur me votuesit tanë, por për t’i bërë realitet. Neve na presin shumë punë dhe investime por ne do të dalim faqebardhë” tha Ahmeti.
Kandidati për kryeministër, Naser Zyberi, përmendi synimin e tij, për të pasur një himn shtetëror që përfaqëson edhe trashëgiminë shqiptare.
“Neve na duhet një qeveri që do të prodhojë barazi, ne kemi ende nevojë që të ecim përpara dhe të rrisim kapacitetet tona. A mund të themi se jemi shtet evropian kur rrijmë para një himni i cili na përjashton?!” tha Zyberi, përcjell TV21.
Ndërkaq, kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, që po ashtu është nga radhët e BDI-së, tha se sot “flitet e drejtohet shqip”, duke shtuar se edhe Kryeministri shqiptar do të bëhet realitet, e këtu i dërgoi porosi edhe opozitës shqiptare.
“Për mua Ziadini dhe Afrimi janë vëllezer. Të dashur vëllezër do t’ju lus kethehuni pak pas, kujtoni vitin 2001 sepse ne aty kthyem dinjitetin e nëpërkëmbur. Sot ato vlera të dinjitetshme udhëhiqen nga ne. Ne ua mundësuam edhe fitoren në Strugë, së paku na thoni faleminderit” u shpreh Dehari./TV21