“Angazhimin, mbështetjen dhe entuziazmin tuaj e shoh jo vetëm si privilegj, por edhe një obligim për të punuar më shumë”, shprehet në fjalimin e tij lideri i BDI-së Ali Ahmeti, të mbajtur me rastin e dekretimit të Shtabit Qendror Zgjedhor të partisë, për zgjedhjet parlamentare të 24 prillit 2016.
“Kur ju pashë më herët kaq mirë të organizuar dhe kaq shumë të përkushtuar mu duk se jam para defilimit të ndonjë nga ushtritë më të disiplinuara të botës dhe se ç’mu rikthyen kujtimet dhe nostalgjia e ushtrive tona. Jam këtu para mbi një mijë anëtarë të Shtabit qendror dhe atyre komunale. Ju jeni ata qe do i prini trupës prej 15 mijë aktivistëve që prej sot marrin detyrat për të takuar dhe biseduar me çdo shqiptarë në çdo cep të vendit tonë” thotë Ahmeti.
Me formimin e këtij shtabi, siç tha ai, ne kalojmë sot nga dimensioni programor për të cilin reflektuam në kongresin e fundit tematik në Mars, tek ai organizativ dhe me këtë po bëhemi gati për betejën e radhës zgjedhore dhe tregojmë që partia jonë i ka strukturat e saja të gjalla e gjithë energji, e gatshme për të dalë fitimtare në garën që po na afrohet.
“Strukturat e partisë sonë shtrihen në terren në dimensionin horizontal kudo në gjashtë zonat zgjedhore të Republikës së Maqedonisë, pa harruar edhe diasporën, ndërsa në dimensionin vertikal do të kemi njësi të posaçme edhe në nivelin e qendrave të votimit. Kjo është një provë që partia jonë jo vetëm nuk është gjunjëzuar prej sulmeve dhe vështirësive të viteve të fundit, por ka dalë edhe më e kalitur dhe përforcuar se më parë”, thotë Ahmeti duke theksuar se anëtarësia e BDI-së është e larmishme dhe gjithëpërfshirëse.
“Këtu ka gra e burra, të rinj e të moshuar, këtu ka banorë të krahinave të ndryshme, banorë të qyteteve dhe të zonave rurale, anëtarë të zonave malore e fushore, ka punëtorë e fshatarë si dhe doktorë e inxhinierë. Partia jonë përfshin të gjitha shtresat sociale dhe segmentet e shoqërisë sonë dhe ky diversitet është një aset, një pasuri e madhe e partisë sonë që ka shërbyer edhe si çelës i suksesit tonë”, shprehet Ahmeti.
Ai shprehu krenari dhe entuziazëm të veçantë për praninë masive të të rinjve si dhe faktin që në emër të shumicës së departamenteve folën kuadro të rinj, fytyra të reja që demonstron se partia është një parti që ripërtërihet gjithmonë me prurje të reja.
“Kjo gjë dëshmon se BDI është dhe do të mbetet një burim shprese e frymëzimi për të gjithë ata të rinj shqiptarë të cilët duan të jetojnë me nder e krenari të lirë e të begatë në trojet e tyre brenda shtetit të Maqedonisë”, tha Ahmeti.
Ai vuri në dukje se për vite me radhë, me punën e palodhur të të gjithë anëtarëve të BDI-së kjo parti ka mbjellë dhe kultivuar një besim të madh tek qytetarët shqiptarë dhe me kontributin tuaj të çmuar ne do të arrijmë të korrim frytet e punës sonë në zgjedhjet e ardhshme.
“Në supet tuaja rëndon pra një detyrë shumë e rëndësishme që nuk lidhet vetëm me partinë tonë por me fatet e popullit shqiptar në këto troje. Në këtë periudhë Maqedonia ndodhet në një situatë shumë të vështirë të historisë së saj bashkohore dhe ne këtë krizë duhet ta shohim edhe si mundesi për të ardhmen”, shprehet Ahmeti.
Sipas tij kjo situatë mund të shërbejë si një moment kthese për këtë shtet duke përmirësuar konjukturën e brendshme politike të këtij vendi në mënyrë që të zhbllokohen proceset e rëndësishme të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.
“Objektivi i ardhshëm juaj ka për të qenë shtrirja kapilare në vend dhe formimi i shtabeve të qendrave të votimit gjë që është një sfidë e madhe dhe e vështirë. Unë jam i sigurtë që do e përmbushni me shumë sukses dhe se së shpejti do të kemi 15 mijë aktivistë të BDI-së në terren”, përfundoi fjalimin e tij lideri i BDI-së Ali Ahmeti duke i uruar atyre punë të mbarë në përmbushjen e objektivave të shtabit në përputhje në frymën e 6 parimeve dhe fitore në zgjedhjet e ardshme të 24 prillit të vitit 2016.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e dekretoi Shefin e Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri, për zgjedhjet parlamentare të 24 prillit 2016.
Me këtë edhe ka filluar promovimi i Shtabeve zgjedhore të BDI-së. Ajo mban moton “Fillojmë”, ndërsa po vërehet prani e madhe e zyrtarëve dhe aktivistëve të kësaj partie.
Shefi i Shtabit të përgjithshëm të BDI-së Bekim Neziri me të marrë këtë detyrë nga ana e kreut të BDI-së Ali Ahmeti tha se pranon parimet dhe vendimet që iu dorëzua solemnisht.
“Unë nuk do ju zhgënjej në punën time… Ali Ahmeti dhe BDI kanë kapacitet të përballen më situatën aktuale. Ne në BDI kemi iniciativa, jemi të hapura për ide, kemi një rini mirë të organizuar që e trason të ardhmen e partisë. Shenja mbetet transparenca. Ne do të flasim
por edhe do të dëgjojmë. Do e ruajmë unitetin dhe avancojmë harmoninë brenda anëtarësisë”, ka thënë Neziri.
Sipas tij, Shtabet zgjedhore numërojnë 15 mijë aktivistë të gatshëm të marrin mbi supe sfidën e radhës me fitore plebishitare më datën 24 prill 2016.
Shefi i Shtabit zgjedhor të BDI-së Bekim Neziri ka dekretuar shefat e Shtabeve komunale në detyrën që do u prijnë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 24 prill të 2016.
Sipas “Aktuale.mk” këto detyra kanë marrë kryetari i Shtabit komunal Ruzhdi Lata nga Dibra, Besim Koka nga Çairi, Nevzat Bejta nga Gostivari, Islam Muça nga Shuto Orizarë, Isni Jakupi nga Saraji dhe të tjerë.
Shtabet zgjedhore të BDI-së numërojnë 15 mijë aktivistë të gatshëm të marrin mbi supe sfidën e radhës me fitore plebishitare më 24 prill.
