Të pakënaqurit brenda BDI-së, dega Saraj dhe ajo e Çairit, të udhëhequr nga Blerim Bexheti dhe Izet Mexhiti, në selinë e partisë në Reçicë të Vogël u takuan me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti për të folur rreth pakënaqësive dhe kërkesave të tyre, të cilat ditë më parë i shfaqën edhe në një letër të hapur.
Pas takimit, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se në BDI gjithmonë ka pasur debate dhe do të ketë dhe se këto janë gjëra të vogla që do të rregullohen.
“Është thesar kombëtarë, 20 vjet investim është BDI. Jemi krenar me njerëzit që në përfaqësojnë qoftë në Bruksel qoftë në Uashington, dhe këtë nuk e them unë këtë ma kanë thënë edhe përfaqësues ndërkombëtarë, se vërtet kemi përfaqësim të mirë. Ato gjëra të vogla duhet të rregullohen. Mbi të gjitha është njerzillaku, o vëllezër të mi, funksionet shkojnë e vijnë njërzillëku mbetet, këtë ua kamë thënë, i kemi shkuar njëri tjetrit në dasma, kemi bërë dasma bashkë, kemi bërë vaj bashkë, për gjëra të vogla mos u ndani dhe mos u hani“, deklaroi Ali Ahmeti – lider i BDI-së.
Izet Mexhiti ndërkohë theksoi se e kanë njoftuar Ahmetin për pakënaqësitë dhe pret që lideri i partisë ato t’i merr parasysh.
“Unë nuk pretendoj se në 100% kemi të drejtë. Kemi elaboruar kërkesa konkrete kërkesa reale dhe ajo është që në BDI të konstituohet kryesia të kthehet debati. Kemi kundërshtime ndaj ekzekutivit me argumente. Kjo nuk është hera e parë dhe e fundit që ka ndodh kjo brenda BDI-së dhe unë pres nga z. Ahmeti që ta merr situatën parasysh dhe me debat të del me zgjidhje konkrete“, tha Izet Mexhiti – BDI.
Paraprakisht edhe Blerim Bexheti nga dega e Sarajit u shpreh se nuk ishin aty për ndonjë marrëveshje por për të folur për problemet e degës.
“Sot këtu nuk jemi për marrëveshje, jemi për problemet e degës që realisht çdo degë i ka edhe dega e Sarajit pakënaqësitë e veta, të arriturat e veta dhe normalisht pjesa tjetër informova edhe krejt strukturën e degës pse jam pjesë e nënshkrimit të asaj letre drejtuar”, theksoi Blerim Bexheti, BDI- Dega Saraj.
I pyetur nga gazetarët Ahmeti gjithashtu tha se BDI mund të funksionojë edhe pa Artan Grubin.
