Ahmeti në Debresh: Deri dje janë ofenduar, kurse sot shoqërohen bashkë

TË FUNDIT

Është e nevojshme që të sundojë e drejta, të kemi mjedis të pastër, sepse pa ta Bashkimi Evropian nuk do t’i hapë dyert dhe për këtë duhet të mobilizohemi që të votojmë të dielën, porositi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në Debresh.

Ai ka folur edhe për oponentët politik, të cilët sipas tij kanë koalicionuar nga interesa joparimore.

“Për 20 vjet kemi bërë shumë për të gjithë. Nuk e di se si të tjerët dalin dhe thonë se VMRO na mbështetë, kurse ata janë me VMRO-në në Kërçovën time dhe në Gostivar. Deri dje janë ofenduar, kurse sot shoqërohen bashkë. Është i nevojshëm komunikimi, por jo edhe mbështetja nga ata. Duam barazi të plotë pa paragjykim. Vlerësoj se ju do të vendosni për të gjithë rreth 1 mijë votat në Debresh dhe duhet që bashkë me Nevzat Bejtën ta angazhojmë Debreshin që t’i ecë punët për të mirë”, tha Ahmeti.

Foli edhe për të arriturat e partisë së tij përgjatë vitesh dhe potencoi tri universitetet, përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e barabartë.

Tashmë siç tha Ahmeti, BDI ka hapur kapitull të ri – Agjendën e gjelbër, ku përveç shpalljes së Malit Sharr si Park Kombëtar, aty janë edhe Korridor 8 me gazifikimin dhe shumë investime kapitale.

Për këto, siç tha ai, duhet mbështetje lokale./TV21