Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në
Tetovë ka takuar ambasadoren e re gjermane në vendin tonë, Anke Holstein.
Takimi i parë njohës midis bashkëbiseduesve ishte miqësor dhe dashamirës dhe i përcjellë me shkëmbim të opinioneve për procesin zgjedhor në vendin tonë.
Ahmeti, siç thuhet në kumtesë, e uroi ambasadoren Holstein për detyrën e re dhe u zotua për vazhdimësi të miqësisë dhe bashkëpunimit të afërt me Gjermaninë duke shprehur falënderimin e madh për kontributin e deritanishëm të Berlinit për vendin tonë dhe rajonin.
Procesi zgjedhor u vlerësua si demokratik nga bashkëbiseduesit dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa tash pritet konstituimi i Kuvendit dhe i qeverisë sa më shpejt që është e mundur. Sfidat para nesh janë të shumta, negociatat me Bashkimin Evropian, rimëkëmbja ekonomike dhe përballja me pandeminë, por edhe realizim i programeve zgjedhore, prandaj edhe konsolidimi i institucioneve nuk guxon të vonojë.
Ahmeti ka theksuar se vijat e kuqe të BDI-së dhe të shqiptarëve janë, Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe e fqinjësisë së mirë por edhe reformat për të përmbushur standardet evropiane dhe premtimet zgjedhore.
Të dy bashkëbiseduesit, siç kumtohet u dakorduan që të vijojnë dialogun dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
