Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela, në Prishtinë kanë realizuar takim me Kongresmenin Keith Self, përcjell TV21. Ata thonë se me kryetarin e Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan kanë diskutuar për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe parimin e Badenterit.
“Kongresmenit amerikan i shpreha shqetësimin tonë dhe seriozitetin e tendencave për të goditur përdorimim zyrtar të Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut, si dhe shpalosa pikëpamjet tona për këtë temë. Në këtë linjë e njoftova atë me qëndrimin tonë për vendosjen e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, si një mekanizëm për mbrojtje nga majorizimi në një institucion të rëndësishëm që kohëve të fundit është kthyer në burim krize dhe tensionesh ndëretnike. Ndava shqetësimin për gjyqësinë që funksionon në bazë të emrit dhe mbiemrit që ke dhe jo sipas veprës që ke bërë duke sjell në vëmendje rastin Alfa, 18 vite burg pa faj të Agim Islamit dhe tashmë të ndjerit Rexhail Qerimit dhe duke hequr paralele me lirimin nga burgu të të dënuarve për terrorizëm me rastin e 27 prillit. Në takim diskutova edhe për goditjet e vazhdueshme nga ana e Qeverisë dhe institucionet e tjera, ndaj të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar Sela.
“Diskutuam për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, për sfidat që lidhen me ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit dhe për nevojën e respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si garanci e paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Shpreha mirënjohjen për rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe për interesimin e vazhdueshëm amerikan për stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të rajonit”, ka shkruar Ahmeti.
